15:29 / E Enjte, 14 Qershor 2018 / k.v

Zv/ministri Shkodra mori pjesë në forumin rajonal të MARRI-it

Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Selami Shkodra me ftesë të Ministrit të Punëve të Brendshme, të Republikës së Shqipërisë, zFatmir Xhafaj, ka marrë pjesë në mbledhjen e Forumit, si organi më i lartë vendimmarrës i Qendrës Rajonale MARRI.

Bashkëngjitur keni të plotë fjalimin e zëvendësministrit, Selami Shkodra në këtë forum:

Të nderuar, zonja dhe zotërinj

Kam nderin dhe kënaqësinë që të jem i pranishëm në Forumin e MARRI-t, në përbërje të Ministrave të Brendshëm të vendeve anëtare dhe të përcjell mesazhin e Republikës së Kosovës në kontributin dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal në kuadër të MARRI-t, i cili është tepër i rëndësishëm për shtetet tona dhe më gjerë.

Rajoni ynë është i një rëndësie të veçantë strategjike dhe politike në sferën ndërkombëtare, në veçanti sa i përket aspekteve të sigurisë dhe lëvizjeve migratore, si pasojë e konflikteve në zonat e ndryshme të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës. Andaj ne si rajon i tërë duhet që bashkërisht t’i përgjigjemi këtyre sfidave globale që reflektojnë edhe në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Andaj, bashkëpunimi rajonal është parimi kyç dhe vlerë demokratike Evropiane, të cilat edhe ne si vende të rajonit duhet t’i përqafojmë.

Të gjithë këtu jemi si pjesëmarrës, kemi qëllim dhe vizion të përbashkët për të ardhmen e vendeve tona, i cili është që të bëhemi shtete anëtare të Bashkimit Evropian.

Si një Iniciativë Rajonale, MARRI përfaqëson një instrument tepër të rëndësishëm për ngritjen e kapaciteteve, shkëmbimin e informatave dhe përvojave në kuadër të mandatit të saj për çdo shtet pjesëmarrës dhe mbi të gjitha mundëson njohjen dhe bashkëpunimin e zyrtarëve të shteteve pjesëmarrëse.

Duke u bazuar në angazhimet tona për arritjen e standardeve më të larta në të gjitha fushat e sigurisë, migrimit dhe azilit, duke i harmonizuar politikat tona të përbashkëta dhe vendimmarrëse në kuadër të mandatit të MARRI, standarde të cilat do të na mundësojnë që t’i bashkohemi familjes së Bashkimit Evropian.

Të nderuar,

Më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme t’i uroj mirëseardhje z. Harsdorf si anëtar më i ri në MARRI, një kuadro tepër i qëlluar dhe i mirëseardhur nga GIZ-i Gjerman dhe përkrahje të plotë në realizimin e projekteve.

Në veçanti i falënderoj përfaqësuesit e GIZ Gjerman dhe organizatat tjera si FRONTEX, IOM, ICMPD, RCC, etj, për përkushtimin e tyre për MARRI ashtu edhe për angazhimin pa rezervë për Kosovën.

Sa i përket kontributeve që duhet të kryhen nga ana jonë, ju sigurojë që shumë shpejt do të kryhen procedurat për alokimin e mjeteve dhe do të finalizohen aspektet procedurale dhe të kryerjes së obligimeve tona.

E shfrytëzoj rastin që të falënderoj Republikën e Shqipërisë, në kryesimin e suksesshëm të Presidencës së MARRI dhe gjithashtu i uroj suksese marrjes së Presidencës së re nga Bosnja dhe Hercegovina.

Zonja dhe zotërinj

Anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian nënkupton përmbushjen e standardeve që do të mundësojë ndërtimin e rritjes së mirëqenies dhe sigurisë për vendet tona. Qeveria e Republikës së Kosovës punon në mënyrë intensive për të përmbushur këto standarde dhe si një element tepër i rëndësishëm është edhe bashkëpunimi rajonal ku ne si shtet kemi treguar përkushtim të posaçëm dhe kujdes të veçantë për ndërtimin e një të ardhme më të mirë. Në këtë drejtim, zbatimi i obligimeve që rrjedhin nga Marrëveshja për Stabilizim dhe Asocim do të rezultojë me kandidatin e Republikës për ‘status kandidat’ në të ardhmen e afërt, si dhe presim që shumë shpejtë qytetarët e Republikës së Kosovës të gëzojnë lirinë e lëvizjes pa viza në zonën Shengen, si një rezultat i një pune të gjatë dhe procesi të mundimshëm, por të merituar për qytetarët tanë.

I shpreh mirënjohjen time të përzemërt drejtoreshës, Përfaqësuesve Kombëtar dhe stafit të MARRI për punën dhe angazhimin e treguar profesional.

Ju faleminderit

Temat: