21:01 / E Mërkurë, 08 Gusht 2018 / indeksADMonline

Zvarriten hetimet për listat e fryra të veteranëve të luftës

Në qershor të vitit 2016, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi ka kërkuar nga Prokuroritë kompetente fillimin e grumbullimit të informatave për nisjen e hetimeve mbi keqpërdorimet e mundshme me listat e veteranëve të UÇK-së, përkatësisht listave të fryra.

Mirëpo, që nga kjo periudhë Prokuroria e Shtetit vazhdimisht deklarohet se janë në fazën fillestare të mbledhjes së informatave duke mos dhënë detaje të tjera se kush është duke u hetuar për këtë.

Ndërsa, numri i atyre që përfitojnë pension si luftëtar nga shteti është mjaftë i lartë.

Në raportin e punës së zëvendësministrit të punës Abdyl Imeri të cilin ai e ka dorëzuar tek kryeministri Haradinaj bëhet e ditur se gjithsej janë 38 mijë e 253 veteranë që marrin pensionin, transmeton Indeksonline.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati për Indeksonline kanë thënë se ka kohë që nuk janë dëgjuar me prokurorinë.

“Veç janë duke hulumtu, mirëpo ende nuk kanë marrë ndonjë në pyetje e as aktakuza nuk kanë ngritë. Një rast një ditë ka qenë në Podujevë për falsifikim të dokumenteve për regjistrim të veturës, por ky rast nuk ka të bëjë me neve, pasi ai ka qenë invalid. Ka tre muaj që nuk jemi takuar me prokurorinë dhe mendoj se ky proces është stërzgjatur”, ka thënë Gucati.

Kurse, Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të UÇK-së për Indeksonline ka thënë se ata janë takuar me zyrtarë të krimeve ekonomike duke shprehur mundësitë më të lehta për të hetuar këto lista.

Sipas tij, veteranët e rrem kanë dëmtuar imazhin e luftëtarit të vërtetë, prandaj është obligim i prokurorisë dhe institucioneve të drejtësisë që të punojnë në këtë drejtim.

“Po Prokuroria e Shtetit në këtë rast hetuesit e krimeve ekonomike kanë filluar hetimet e listave të fryera të veteranëve. Unë nuk jam ekspert i kësaj fushe, po për mendimin tim ky proces merr kohë duke pasur parasysh numrin e madh të atyre të cilët kanë përfituar statusin e veteranit të UÇK-së pa qenë fare në luftë. Ne jemi takuar me zyrtarë të krimeve ekonomike dhe ju kemi treguar mundësit më të lehta për ti hetuar këto lista, pra kemi shprehur vullnetin tonë që tu ndihmojmë brenda mundësive tona, por ju mbetet atyre në këtë rast prokurorisë të shtetit që ta zbardhin të vërtetën, ta hetojnë secilin keqpërdorues në këtë rast dhe në bazë të ligjeve në fuqi tu japin dënimin e merituar, sepse kanë dëmtuar imazhin e luftëtarit të vërtet, kanë thyer moralin e luftëtarit dhe po na dëmtojnë të gjithëve si shoqëri duke përfituar nga taksat tona”, është shprehur Qeriqi.

Ndërsa, Prokuroria e Shtetit në një përgjigje për redaksinë ka thënë se nuk mund të jap asnjë përgjigje pasi janë në fazën e hetimeve.

“Prokuroria nuk mund të jap asnjë përgjigje lidhur me pyetjet e tuaja pasi që jemi në fazën e hetimeve. Po ashtu, Prokuroria e inkurajon secilin që ka informacione, din diçka, ka parë ose dëgjuar për këto keqpërdorime që të lajmërohet në Prokurori”, thuhet në përgjigjen e tyre./Indeksonline/