22:46 / E Mërkurë, 21 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Zyra e Prokurorit Special nuk do të ndikohet nga largimi i Schwendiman

Të enjten e kaluar Prokurori i Specializuar, David Schwendiman ka bërë të ditur arsyet e largimit të tij nga Haga, në prill, largim ky i cili është theksuar se vjen për shkak të skadimit të emërimit të tij për afatin e caktuar për tre vite si një Oficer i Lartë për Shërbim të Jashtëm në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Schwendiman do të largohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 31 mars 2018 kur emërimi i tij do të marrë fund.

Schwendiman përmes deklaratës së tij bëri të qartë që nuk po e jep dorëheqje as nuk po shkarkohet dhe që largimi i tij i shpejtë nuk paraqet një ndryshim në politika ose zotim ndaj punës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar nga ana e SHBA-së ose nga ana e Bashkimit Evropian ose nga bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi.

Lidhur më këtë Indeksonline ka kontaktuar, zëdhënësin e Dhomave të Specializuara, Christofer Bennett, i cili ka ripërsëritur se në vend të Prokurorit, David Schwendiman do të jetë, Kwai Hong Ip, si Zëvendës Prokuror i Specializuar.

“Kur z.Schwendiman largohet, Z.Kwai Hong Ip, si Zëvendës Prokuror Special, do të sigurojë automatikisht vazhdimësinë në zyrën e Prokurorit Special derisa Bashkimi Evropian do të emërojë një Prokuror tjetër Special për të zëvendësuar, z.Schwendiman”, ka thënë zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Christofer Bennett.

Ndër të tjerash është bërë e ditur se kjo çështje parashihet të marrë pak kohë.

“Përzgjedhja dhe emërimi i Prokurorit të ri do të zgjasë pak kohë. Z.Ip, ishte paraprakisht prokuror kryesor i Task Forcës Speciale të Hetimeve ndërmjet korrikut 2014 dhe majit 2015, përpara emërimit të z.Schwendiman”, ka thënë tutje Benett.

Gjithashtu Bennett ka cituar Prokurorin Schwendiman ku ka shpjeguar se zgjidhja e atyre që punojnë në Zyrën e Prokurorit Special nuk do të ndikohet nga largimi i tij.

“Zgjidhja e atyre qe punojnë në Zyrën e Prokurorit Specialist nuk do të ndikohet nga largimi im dhe kushdo që vjen pas meje, do të jetë po aq i angazhuar për ta bërë punën e duhur dhe për ta bërë atë në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka shtuar Bennett.

Schwendiman ka thënë se asnjëri nga ata përgjegjës për krimet e përfshira në mandatin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe të Dhomave të Specializuara nuk duhet të mendojë për asnjë moment që largimi i tij ka të bëjë me mungesë zotimi ndaj hetimeve.

“Një parim kryesor i punës sonë gjithmonë ka qenë përgjegjësia individuale – duke mbajtur njerëz përgjegjës për veprat e veta, për çka kanë bërë si individë – puna jonë asnjëherë nuk ka qenë për ndryshimin e historisë ose për të veçuar grupe të caktuara për dënim. As kjo nuk do të ndryshohet kur një Prokuror i Specializuar i ri do të marrë përsipër detyrën”, pati thënë ai.

Ndryshe Gjykata Speciale vazhdon të jetë ndër temat më të komentuara në vend./Indeksonline/