21:33 / E Enjte, 04 Janar 2018 / indeksADMonline

Zyrtari i LDK-së: Deklarata e QUINT-it, tejet e qartë

Reagimi i përfaqësuesve të shteteve të QUINT-it në Prishtinë përmes një deklarate për Kosovën rreth çështjes së shfuqizimit të Gjykatës Speciale ka ngritur vëmendje të lartë në të gjithë vendin.

Për dallim të disa subjekte politike apo individ që nuk pajtohen me këtë deklaratë, të tjerët e mbështesin një të tillë.

Kështu, zyrtari i LDK-së, Florian Dushi përmes një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se deklarata e QUINT-it ishte plotësisht e qartë.

Sipas tij, nuk ka asnjë arsye që të interpretohet kjo deklaratë.

“Deklarata e QUINT-it ishte tejet e qartë, prandaj “turri” për me e zbërthy apo interpretu këtë deklaratë, po më duket mundim kot!”, ka shkruar Dushi në Facebook.

Më poshtë deklarata e plotë e sheteteve të QUINT-it:

Jemi thellësisht të shqetësuar me përpjekjet e vazhdueshme për të zhvlerësuar punën e Dhomave të Specializuara, si dhe vendimin e Presidentit për të falur tre të dënuar për vrasje, në të ashtuquajturin “rasti i familjes Hajra”. Dhomat e Specializuara, në veçanti janë pjesë e rëndësishme e përkushtimit të Kosovës për sundim të ligjit dhe angazhimit të Kosovës për të adresuar krimet e kryera në teritorin e saj.

Vendet e QUINT-it kanë qenë prej kohësh miq të vërtetë të Kosovës, përfshirë këtu edhe në kohërat më të vështira. Që nga mbështetja jonë për ndërhyrjen e NATO-s, sakrifikimin e ushtarëve tanë në Kosovë, njohjen e menjëhershme të pavarësisë së Kosovës dhe mbështetjen tonë të vazhdueshme në zhvillimin tuaj, ne kemi punuar shumë për të mbështetur vendin tuaj. Suksesi juaj është në interesin tonë. Megjithatë, ne do të këmbëngulim gjithmonë që Kosova të mbështesë drejtësinë.

Nuk ka asnjë arsye për të penguar punën e Dhomave të Specializuara dhe ftojmë secilin kryesues të institucioneve, udhëheqës të partive apo deputet, të heqin dorë nga çdo tentim për të shfuqizuar apo ri-negocuar çfarëdo pjese të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Një veprim i tillë vë në pikëpyetje përkushtimin e Kosovës për sundimin e ligjit dhe rezikon të gjitha të arriturat e Kosovës. Kjo i vënë interesat e individëve mbi interesat e shoqërisë kosovare.

Ne e dënojmë një gjë të tillë, dhe kushdo që mbështetë një gjë të tillë, do të veprojë qëllimisht kundër partneritetit të Kosovës me vendet tona. Ftojmë të gjithë liderët të Kosovës dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës të ngrisin zërin kundër kësaj iniciative dhe me sinqeritet të plotë të informojnë qytetarët e Kosovës për pasojat e rënda negative,përfshirë këtu edhe procesin e integrimit ndërkombëtarë dhe Euro-Atlantik të Kosovës, nëse Kosova vazhdon në këtë mënyrë. Në të njejtën kohë, presim që të gjitha shtetet të ndjekin penalisht ose të bashkëpunojnë në plotni, në gjykimin e krimeve të supozuara, të kryera në Kosovë./Indeksonline/