12:22 / E Martë, 16 Prill 2019

​Haradinaj: Do të skuqen ata që bëjnë veprime të padrejta kur përballemi me Serbinë

“Ne do ta çojmë Kosovën aty ku i takon, në familjen e popujve e shteteve. Pastaj një Kosovë e anëtarësuar në OKB e në NATO. Le të vendos si do të sillet ndaj vëllezërve të tjerë të vet, vëllezërve e motrave shqiptare, nga Shqipëria, ndaj vëllezërve të tjerë, e mendoj se do të sillet siç i takon. Kurrë nuk ka me e korit vetën Kosova, por askush nuk ka me pas mundësi ta ndalë Kosovën deri në vendin e merituar që i takon si e drejtë e shqiptarëve”.

Kështu ka thënë sot kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë homazheve që ka bërë në Gllogjan, në 20-vjetorin e rënies së Shkëlzen Haradinajt dhe shokëve të tij.

Me këtë rast kryeministri tha se shqiptarët janë popull i sakrificës dhe i respektuar dhe se nuk do të lejojë që dikush t’ia ofendojë krenarinë e t’ia mohojë dhimbjen.

“Ne jemi popull i respektueshëm, por nuk  nuk duhet që askush t’a teprojë me ne. Ata që mendojnë se mund të mohojnë e mund të ofendojnë dhimbjet, luftën, por edhe krenarinë tonë, as krenarinë nuk ka të drejtë dikush të na ofendojë. Për shkak se nuk është një krenari e falur, është një krenari që vjen prej jetërave të djemve më të mirë të atdheut, të vajzave më te mira”, ka thënë kryeministri.

Ai i është përgjigjur edhe akuzave se i ka falur Malit të Zi pjesë të territorit të Kosovës.

“Nuk është e vërtetë që Kosova e ka falë Çakorrin, jo Ramushi po Kosova, as Çakorrin as Kullën. Ju e dini ne shpesh nuk i kemi deklaruar të gjitha rrjedhat e punëve që i kemi bërë. Shumë njerëz janë befasuar edhe ushtria kur iu ka ardhur si punë e kryer, po nuk kanë besuar që kryhet. Shumë kanë menduar që janë veç fjalë, veç rrena, po sot kemi ushtri. Nuk është falë Çakorri as Kulla, rren është, krejt ata që rrejnë e dinë që janë duke rrejtur. Por e bëjnë për arsye të ulëta”, tha Haradinaj.

Kryeministri në vendin e tij të lindjes ka ripërseritur se nuk do të lejojë të ndryshohen kufijtë e Kosovës, ndërsa ka shtuar se asnjëherë nuk ka bërë  veprime kundër  interesave të atdheut.

“Pushtetet shkojnë e vijnë, unë i kam kaluar nja 12, 13 vjet në opozitë, jo si disa të cilët flenë tek gratë e tek fëmija i tyre sot ose ku me ditë ku shkojnë e shëtitën, por i kam kaluar disa vite edhe në burg. Kurrë nuk jam ligur, kurrë nuk kam bërë gabime në interes të atdheut, as unë e as familja ime. Ata që po koriten shumë e kanë për vete, por do të vijë dita kur shumica prej tyre kanë me u skuq për ato që po i bëjnë që janë të padrejta në kohën kur jemi duke u përballur me Serbinë”, tha Haradinaj. /Indeksonline/