17:31 / E Shtunë, 03 Mars 2018 / indeksADMonline

​Kuvendi i dështimeve, s’ka kuorum për seanca

Kuvendi i Kosovës vazhdon të ketë probleme të mëdha me funksionimin e tij normal si pasojë e mungesës së kuorumit për të mbajtur seanca dhe për të votuar projektligjet.

Si pasojë e mungesës së kuorumit, në seancën e së premtes kanë mbetur pa u miratuar rreth 20 projektligje, ndër to edhe projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ku duhen dy të tretat.Por nuk është vetëm seanca e së premtes, meqë edhe një numër i seancave të mëparshme kanë dështuar së mbajturi, e shumë ligje ende mbeten pa u miratuar tash e disa muaj për shkak të kuorumit. Janë edhe dy seanca që janë ndërprerë për shkak të mungesës së kuorumit, e si pasojë e kësaj edhe ligjet që janë shqyrtuar në ato seanca ende nuk janë miratuar.Kjo nuk po i shqetëson deputetët e Kuvendit, ani pse marrin rroga të majme nga buxheti i Kosovës dhe janë aty për t’i përfaqësuar qytetarët e vendit.Në seancën e së premtes duke e parë se seanca nuk ka kuorum, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, propozoi që votimi të bëhet në pako pasi të shqyrtohen një numër projektligjesh, por që nuk mori përkrahjen e opozitës.Ky propozim, Veseli tha se vjenë meqë në shumicën e vendeve të botës kjo lejohet dhe praktikohet.

Por kur mori qëndrimet e grupeve parlamentare, LDK doli kundër kësaj forme duke preferuar vazhdimin e traditës, pas çdo shqyrtimi të projektligjit të organizohet votimi. Njëjtë pati qëndrim edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila tha se duhet të ndiqet praktika që të votohet në fund të diskutimit të secilit projektligj. Derisa, pro kësaj ideje ishin partitë e koalicionit qeverisës, por që nuk e kishin shumicën për të vendosur.Megjithatë, mungesa e kuorumit dërgojë Kuvendin në pauzë deri në orën 14:00. Edhe kur erdhi koha e fillimit të seancës, përsëri nuk kishte kuorum për ta votuar rendin e ditës, proces ky pa të cilin nuk mund të fillojë shqyrtimi i pikave të rendit të ditës.Për këtë fjalën e mori deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, i cili akuzojë pozitën për ikje nga përgjegjësi, ani pse në sallë nuk ishte edhe një pjesë e mirë e opozitës. Madje, asnjë prej deputetëve të VV-së.Kjo mungesë e kuorumit dërgojë për së dyti herë Kuvendin në pauzë, për t’u kthyer në orën 15:00. Pas kësaj pauze, seanca vazhdojë me shqyrtimin e projektligjeve që ishin në rend dite, por që nuk u votuan meqë prapë se prapë nuk kishte kuorum.

Shoqëria civile e quan papërgjegjësi totale dështimin e seancave dhe mos miratimin e projektligjeve si pasojë e mungesës së kuorumit.Arton Demhasaj nga Organizata “Çohu” tha për KosovaPress, se kjo legjislaturë është më e papërgjegjshmja deri me tani.Demhasaj shtoi se papërgjegjësia e kësaj legjislature shihet edhe me thirrjen e seancave për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare mes Kosovës e Malit të Zi.

Sipas tij, janë thirrur tre seanca dhe pa sukses, e kjo si pasojë, herë e interesave dhe inate të partive politike, e herë për mungesë të votave.