20:31 / E Mërkurë, 25 Mars 2020 / indeksADMonline

​Abazi akuzon Hotin për koordinim me Thaçin

Zëvendëskryeministri i Kosovës Haki Abazi konsideron se tentimi për të rrëzuar Qeverinë Kurti, ka të bëjë me planin për ndarjen e Kosovës dhe heqjen e Gjykatës Speciale.

Në seancën e jashtëzakonshme për votimin e mocionit të mosbesimit të iniciuar nga LDK, ai i ka reaguar zëvendëskryeministrit të parë Avdullah Hoti, duke thënë se po flet të pavërteta.

Abazi tha se Hoti ka menduar që duhet të koordinohet me presidentin Hashim Thaçin, duke ‘mos kuptuar’ se është pjesë e Qeverisë Kurti.

“Nuk e di ku e gjen forcën edhe formën e formulimit për me fol të pavërtetat të plota për formën se si ka shkuar këto dy muaj qeverisja. Dyer të hapura, biseda të njëpasnjëshme veprim, bashkëveprim, arritje deri te plani i përbashkët qeverisës, takime, punë me ministrat e LDK-së, të cilat kanë rezultuar në punë të jashtëzakonshme në terren. Qëndrimi i zëvendëskryeministrit më bën të kuptoj që në fakt nuk e ka kuptuar se është në Qeverinë Kurti, por ka menduar që duhet të koordinoj gjithçka me Thaçin, sepse në asnjë moment nuk paska ndarë informacionin se dikush i paska garantuar se ka marrëveshje që i siguron Kosovës integritetin të plotë territorial, por i paska pranuar edhe ulësen në OKB, e ne nuk e paskemi ditur se ku është ajo marrëveshje”, tha Abazi.