13:15 / E Enjte, 22 Tetor 2020 / OSH

​”Moratoriumi për mosaplikim në organizata ndërkombëtare, i dëmshëm për shtetësinë e Kosovës”

Vendimi i Kosovës për pezullimin njëvjeçar në organizata ndërkombëtare, po konsiderohet i dëmshëm për shtetësinë e Kosovës.

Në një tryezë të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje u tha moratoriumi për mosaplikim ndikon në sovranitetin e Kosovës, e sipas shoqërisë civile, një gjë e tillë është pasojë e mospërgatitjes së Kosovës për dialogun me Serbinë.

Sa do të ndikojë moratoriumi njëvjeçar për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, në pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, ishte tema e cila u diskutua virtualisht nga Lëvizja Vetëvendosje me profesorë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile në Kosovë.

Ish-ministri i Jashtëm Glauk Konjufca, tha se vendimi i Qeverisë Hoti ka shkaktuar dëm të madh Kosovës, me siç tha ai, heqje dorë nga subjektiviteti shtetëror.

Konjufca: Problem s’është kur Kosova s’arrin anëtarësimin, por kur s’do të anëtarësohet në UNESCO

(Video)

“Ajo ku të gjithë kundërshtarët e këtij argumenti janë ngatërruar është përzierja ne mes të pamundësisë dhe subjektivitetit. Për ta ilustruar këtë dallim, duhet t’i referohemi përpjekjes sonë për liri dhe çlirim si Kosovë, ty nuk të bën objekt, nuk të degradon në objekt të marrëdhënieve ndërkombëtare, ne nuk kemi qenë objekt as kur kemi qenë të okupuar prej Serbisë, sepse e kemi pas subjektivitetin tonë për liri, vullnetin kolektiv për liri, ndonëse fuqia e Serbisë ka qenë me e madhe në kuptimin e projektit në marrëdhëniet ndërkombëtare në fund vullneti kolektiv i popullit tonë për liri ka ngadhënjyer. Edhe sot e kësaj dite nuk është problemi të pamundësia e Kosovës, pse Kosova nuk ka mundur një herë të anëtarësohet në UNESCO, problemi është kur Kosova nuk do të anëtarësohet në UNESCO, atëherë fillon problemi”, tha ai.

Konjufca tha se Kosova e ka pasur një fazë pozitive në vitet 2008-2010 duke e konsoliduar shtetësinë, dhe sipas tij është dashur të punohet në këtë drejtim dhe jo të hiqet dorë prej pranisë në familjen e madhe ndërkombëtare.

Konjufca: Vendimi i Qeverisë së Hotit është dëm që duhet riparuar sa më parë nga qeveritë e ardhshme

(Video)

“Nuk shkohet aty për të dorëzuar sovranitet, aty shkohet për të konfirmuar vullnetin, subjektiv shtetëror që ne po marrim pjesë në familjen e madhe ndërkombëtare ku ne i kultivojmë të drejtat që ne i ndajmë, me nda kujdesin e përbashkët për botën. Vendimi i qeverisë Hoti dhe nënshkrimi i një cope dokumenti konsideroj që vetë fakti që një vullnet i qeverisë sonë që të shkojë në këtë drejtim, t’ia heqë subjektivitetin Kosovës, është një dëm që duhet riparuar sa më parë të jetë e mundur prej qeverive të ardhshme e të përgjegjshme”, tha ai.

Ndërsa Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës tha se mungesa e një uniteti të brendshëm e ka dëmtuar pozicionin e shtetit në dialog.

Krasniqi: Heqja dorë nga anëtarësimi është heqje dorë nga e drejta jonë si shtet

(Video)

“Është e vërtetë që heqja dorë nga anëtarësimi është heqje dorë nga e drejta jote si shtet por duhet kuptuar, kur ishte rasti i fundit që Kosova u bë anëtare e një organizate ndërkombëtare? Kosovës i duhet mbështetja e miqve të saj, politika jonë e jashtme e ka pasur gjithmonë atë mendësinë që kur një shtet të njeh atëherë edhe duhet të votojë pro teje e të mbështet. Një shtet na njeh ne por e njeh edhe Serbinë. Dhe nuk kemi bërë hapa që të ndërtojmë marrëdhëniet tonë me shtete njohëse e jo njohëse. Kjo mendësi e cekët që një shtet të njeh dhe automatikisht duhet të të votojë na ka sjellë në atë që kemi aplikuar dhe nuk kemi arrit të anëtarësohemi. Edhe kur kemi pasur mundësi, diplomacia jonë ka qenë e dobët, nuk ka pasur strategji të mirëfilltë për t’i çuar përpara proceset me rëndësi për Kosovën”, tha Krasniqi.

Sipas saj, në shumë raste vetë shteti i Kosovës i ka humbur mundësitë që i ka pasur për të shtyrë përpara interesat për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Krasniqi tha një konsensus politik në Kosovë është më se i nevojshëm sa i përket çështjes së dialogut me Serbinë.

E Arbëresha Loxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike tha se Kosova ka vënë në diskutim aspekte themelore të shtetësisë.

Loxha: Me Serbinë po negociojmë në mënyrë jo parimore

(Video)

“Po negociojmë në mënyrë jo parimore, nuk po respektojmë asnjë parim. Serbia e ka çështje të jashtme Kosovën, ndërsa ne heqim dorë nga anëtarësimi që është çështje e brendshme e Kosovës. Kjo tregon se ne si Kosovë e çmojmë ose sa kemi besim në shtetësinë tonë, është fatale, kemi qit aspekte themelore të shtetësisë sonë në diskutim. Kjo na vjen si rezultat i mos përgatitjes sonë në dialog, nuk dimë çka duam nga dialogu. Kësaj duhet shtuar edhe atë se ne nuk e kemi parë në agjendë në asnjë nga tavolinat njohjen e Kosovës”, tha ajo.

Në marrëveshjen e 4 shatorit në Shtëpinë e Bardhë, Kosova është pajtuar që për një vit mos të aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.