17:30 / E Mërkurë, 08 Prill 2020 / indeksADMonline

​Vitia flet për kufizimin e lëvizjes: Në dy ditët e ardhshme fillojmë të ndërmarrim masat

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se në dy ditët e ardhshme do të fillojnë me ndërmarrjen e masave nga kjo ministri, konform ligjit që është në fuqi, lidhur me karantinimin e komunave.

Ai ka thënë se duhet të reagojnë para datës 13 pill kur edhe hyn në fuqi aktvendimi i Kushtetueses, e cila është deklaruar se vendimi i qeverisë për kufizim të lëvizjes është jo kushtetues.

Qeveria e Kosovës kohë më parë vendosi të kufizojë lëvizjen e qytetarëve në orare të caktuara, gjë për të cilën tha se u bazua në ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe ligjin për shëndetësi.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë vendimin, duke e konsideruar jo kushtetues, por që e la në fuqi deri më 13 prill.

Ministri i Shëndetësisë tha se po punojnë të ndërmarrin masat e reja, bazuar në ligjet në fuqi, para datës 13 prill kur edhe hyn në fuqi konstatimi i Kushtetueses.

Vitia tha se edhe nga takimi me kryetaren në detyrë të Kuvendit Vjosa Osmani dhe ministrat e linjës janë pajtuar që ligji i cili ekziston ka nevojë për plotësim ndryshime. Por, sipas tij, duhet të veprohet para 13 prill me masa të tjera.

“E kemi formuar një grup punues, nga katër ministri, që të fillojmë si Ministri e Shëndetësisë, në bazë të legjislacionit që është në fuqi të ndërmarrim masat e duhura me karantinimin e qyteteve, në të njëjtën kohë, natyrisht në koordinim me Kuvendin e Kosovës, në këtë rast me zonjën Osmani, jemi dakorduar që ky ligj i cili ekziston sot ka nevojë për plotësim ndryshime dhe do të bëhen këto plotësim ndryshime, mirëpo ne duhet të reagojmë tani pasi 13 prilli është data e fundit kur duhet të hyjë në fuqi aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Vit ia tha se bashkë me kryeministrin në detyrë Albin Kurti po bisedojnë me kryetarët e komunave, në mënyrë që të vendosin për secilën komunë, meqë jo në të gjitha duhet të ndermirën masa të njëjta.

“Me kryeministrin Kurti edhe disa takime i kemi pasur me disa nga kryetarët e komunave, me disa të tjerë vetëm jemi dëgjuar në telefon në mënyrë që karantinimi i zonave të veçanta dhe komunave të veçanta, ashtu siç e kemi thënë të shkojë në koordinim të plotë me kryetarët e komunave, sepse secila komuna i ka specifikat e veta, disa masa që do të merren në një komunë, jo domosdo do të merren në komunën tjetër. Andaj kemi filluar këtë lloj kontaktimi me kryetarët e komunave dhe ne mund të them nga nesër ose pasnesër do të fillojmë me ndërmarrjen e masave nga Ministria e Shëndetësisë, konform ligjit që është në fuqi”, tha Vitia.

Më 23 mars 2020, Qeveria e Kosovës vendosi për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, ndërsa më 31 mars Gjykata Kushtetuese vlerësoi se i njëjti nuk është në përputhje me Kushtetutën.