14:29 / E Mërkurë, 08 Prill 2020 / indeksADMonline

100 mijë bileta për “kundërshtarin” e padukshëm!

Njëqind mijë bileta për të mposhtur një “kundërshtar” të padukshëm dhe për të luajtur një lojë po aq të padukshme.

Lokomotive Leipzig, skuadra e kategorisë së katërt gjermane, ka menduar një mënyrë origjinale për të garantuar mbështetje financiare në këtë fazë të ndalimit të kampionateve dhe të gjitha aktivitetet sportive për shkak të koronavirusit.

Sigurisht, gjithçka bëhet për të shpëtuar nga falimentimi. Klubi, sipas mediave gjermane, prej ditësh ka shitur bileta elektronike me një kosto prej një euro, për një ngjarje mediatike të planifikuar sot, me qëllimin për të mbledhur 120 mijë euro për të mbështetur ekipin.

“Ne kemi 300 lojtarë të rinj – tha një zëdhënës i klubit – ne duhet të paguajmë stafin, të kujdesemi për fushën dhe stadiumin”.

Lokomotive e Leipzig u formua 126 vjet më parë, ndërsa në vitin 1903 fitoi kampionatin. Deri në vitet ‘80 ishte pjesëmarrëse e rregullt e kupave evropiane,si pjesë e Gjermanisë Lindore. Për ngjarjen e sotme, klubi ka deklaruar se do të ketë një transmetim të drejtpërdrejtë nga stadiumi, projektorët do të ndizen dhe komentatorët e radios në internet do të jenë “live”, por më shumë nuk mund të thuhet.