38 vatra zjarri gjatë ditës në Shqipëri, 14 mbeten aktive
Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë ka përditësuar situatën e zjarreve në vend, duke bërë me dije se deri në orën 20:00 të datës 13 gusht janë raportuar gjithsej 38 vatra zjarri. Sipas njoftimit zyrtar, “aktualisht janë në ndjekje 18 vatra, nga të cilat 14 aktive, 2 në monitorim dhe 2 nën kontroll.”
Për përballimin e situatës, Ministria bën të ditur se “vetëm nga Forcat e Armatosura janë angazhuar 309 efektivë, 22 mjete, 1 autobot, 3 ambulanca, 9 mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.”
Në Tiranë, puna vijon në Dajt dhe në zonën Priskë e Madhe–Gurrë–Farkë–Lundër, ndërsa “pavarësisht terrenit dhe përhapjes së mëparshme, nuk ka rrezik për zonat e banuara.” Në Krujë, sipas Ministrisë, “ndërhyrja e forcave operacionale dhe e FA-së, e mbështetur nga 1 helikopter, ka bërë të mundur vendosjen e zjarrit në lagjen Abaze nën kontroll, ndërsa në Bojë, Krastë dhe Halil nuk raportohen më vatra aktive.”
Operacioni më i madh vijon në Gurë-Lurë të Dibrës, ku, sipas njoftimit, “falë ndërhyrjes së koordinuar është vendosur nën kontroll perimetri pranë banesave dhe është evituar rreziku për djegien e tyre, ndërsa puna vijon në dy drejtimet e tjera.”
Ministria njofton gjithashtu se në Përmet, Devoll, Mirditë, Shkodër, Elbasan dhe Finiq operacionet vijojnë me intensitet, ndërsa “Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.”
Në përfundim, Ministria e Mbrojtjes thekson se “kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.”

