Namibia ia ndalon operimin Starlink-ut
Namibia ka refuzuar një kërkesë nga Starlink-u, në pronësi të Elon Muskut, për licencë për të ofruar shërbime interneti satelitor në vend, duke i shkaktuar kompanisë një pengesë të dytë në Afrikën Jugore.
Autoriteti Rregullator i Komunikimeve të Namibisë (Cran) njoftoi vendimin pa dhënë arsyet e refuzimit të tij, por vuri në dukje se dega namibiane e Starlink nuk kishte pronësi lokale.
Starlink ende nuk ka komentuar mbi vendimin, shkruan BBC-i.
Ajo operon në rreth 25 vende afrikane, por është përballur me sfida rregullatore në të tjera, përfshirë Afrikën e Jugut, ku rregullat e pronësisë gjithashtu e kanë bllokuar hyrjen e saj.
Ligji namibian kërkon që të paktën 51% e aksioneve në çdo kompani telekomunikacioni të jenë në pronësi të qytetarëve ose subjekteve lokale.
Namibia është një ish-koloni e Gjermanisë dhe ishte nën sundimin e regjimit të pakicës së bardhë të Afrikës së Jugut deri në fitimin e pavarësisë në vitin 1990.
Më pas, ajo miratoi politika që synonin rritjen e pronësisë lokale në biznese dhe trajtimin e pabarazisë racore.
Në faqen e saj të internetit, Starlink thotë se ka krijuar një kompani lokale që do të bashkëpunojë me firmat namibiane dhe do të krijojë mundësi punësimi.
Cran tha se mund ta rishqyrtojë vendimin e saj ose “me nismën e vet ose me një peticion të paraqitur nga një palë e dëmtuar” brenda 90 ditëve.
Në vitin 2024, rregullatori lëshoi një urdhër kundër Starlink, duke e akuzuar atë për operim pa licencë dhe duke e udhëzuar atë që të ndërpresë menjëherë të gjitha operacionet në Namibi.
Gjithashtu, u këshillua publiku të mos blejë pajisje terminale Starlink ose të mos abonohet në shërbimet e tij, pasi kjo do të ishte e paligjshme.

