75 Mall Live Search
14:01 / E Martë, 09 Qershor 2026 / A

Incident pranë Hormuzit: Rrëzohet një helikopter amerikan, shpëtohen pilotët

Dy pilotët amerikan u shpëtuan në mënyrë të sigurt pasi një helikopter “Apache” i ushtrisë amerikane u rrëzua në brigjet e Omanit.

“Ushtarët u shpëtuan në mënyrë të sigurt brenda afërsisht dy orësh dhe janë në gjendje të qëndrueshme. Shkaku i incidentit është nën hetim”, tha Komanda Qendrore e SHBA-së, dega ushtarake përgjegjëse për operacionet në Lindjen e Mesme, në një postim në X.

Sipas CNN-it, humbja e avionit shënon humbjen e parë të një “Apache” që nga fillimi i konfliktit me Iranin, transmeton Klankosova.tv.

Ushtria amerikane tha se helikopteri u rrëzua, ndërsa patrullonte ujërat rajonale.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, komentoi mbi incidentin gjatë natës, duke thënë se “pilotët janë mirë” pasi u pyet nga gazetarët në lidhje me një raport se një helikopter i ushtrisë amerikane u rrëzua pranë Ngushticës së Hormuzit.

“Pilotët janë mirë, askush nuk është lënduar”, u tha Trump gazetarëve në NewYork pasi mori pjesë në ndeshjen finale të NBA-së të hënën në mbrëmje.