75 Mall Live Search
16:24 / E Hënë, 19 Tetor 2026 / indeksADMonline

A po përdoret sistemi i drejtësisë si mjet presioni?

Valon Lluka, për 20 vjet drejtor i përgjithshëm në kompanitë e ish-presidentit Behgjet Pacolli, ndodhet në paraburgim që nga 7 tetori, pas kallëzimit penal të kompanive të Pacollit. Sipas dokumenteve gjyqësore, Lluka u paraqit vullnetarisht në polici, me ftesë, dhe aty u ndalua. Dy ditë më vonë, Gjykata Themelore në Prishtinë i caktoi një muaj paraburgim, me arsyetimin se mund të ikë.

Pacolli e akuzon Llukën se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga pagesat e kompanive. Megjithatë, deri më sot asnjë nga këto akuza nuk është vërtetuar. Sipas dokumenteve të rastit, ato mbështeten kryesisht në deklaratat e vetë Pacollit, të familjarëve dhe të punonjësve të tij, pra të palës që ka bërë kallëzimin.

Një nga akuzat kryesore ka të bëjë me pagesa ndaj një kompanie në Emirate. Por për të njëjtat pagesa, gjykata në Abu Dhabi, në korrik të këtij viti, në një padi të ngritur nga vetë grupi i Pacollit, e kishte refuzuar padinë ndaj Llukës. Gjykata konstatoi se ai kishte vepruar si drejtor i autorizuar dhe se nuk ishte provuar asnjë mashtrim apo përfitim personal. Ky vendim është i formës së prerë, pasi është vërtetuar edhe nga gjykata e apelit. Vendimi tani figuron në listën e provave të vetë prokurorisë së Kosovës, por, sipas mbrojtjes, në vendimin për paraburgim nuk është marrë fare parasysh.

Sipas mbrojtjes, konflikti nisi në gusht 2025, kur Valon Lluka, si administrator i Aeroportit të Vlorës, sipas raportimeve në media refuzoi të nënshkruante përfshirjen e shoqërisë koncesionare në një kredi prej 100 milionë eurosh nga një fond në Luksemburg. Mbrojtja thekson se refuzimi i tij u tregua i bazuar: më vonë, ministria përgjegjëse në Shqipëri dhe një gjykatë në Tiranë e ndaluan pikërisht këtë veprim. Vetëm pas këtij refuzimi filluan akuzat publike kundër tij.

Kallëzimi penal u paraqit vetëm një ditë pasi Lluka kishte njoftuar publikisht se do ta padiste Pacollin për shpifje dhe se u kishte dorëzuar prokurorëve në Tiranë dokumentet që, sipas tij, dëshmojnë se veprimet e tij ishin të autorizuara nga pronari. Sipas mbrojtjes, për shitblerjen e aksioneve që sot i atribuohet si vepër penale, Lluka ka qenë i pajisur me autorizim të noterizuar dhe me vendim të aksionarit. Mbrojtja thekson se nuk bëhet fjalë për një autorizim të përgjithshëm, por për autorizim specifik, të dhënë pikërisht për këto veprime konkrete.

Mbrojtja ngre pikëpyetje serioze edhe për mënyrën se si është trajtuar rasti. Sipas saj, një mosmarrëveshje me natyrë komerciale fillimisht u adresua në Prokurorinë Speciale dhe më pas kaloi në Prokurorinë Themelore. Një kallëzim privat, i bazuar në deklarata të njëanshme, u shndërrua në hetim zyrtar me ndalim dhe kërkesë për paraburgim, masë që mbrojtja e cilëson të paparë për një rast të tillë.

Pacolli është një nga figurat më të fuqishme politike dhe ekonomike në Kosovë. Në muajt e fundit ai ka deklaruar publikisht se «drejtësia vjen si rrufe» dhe se nuk do të ndalet ndaj Valon Llukës. Mbrojtja shpreh shqetësim serioz se pesha politike dhe publike e z. Pacolli ka ndikuar në mënyrën dhe ashpërsinë me të cilën është trajtuar kjo çështje nga prokuroria, e cila kërkoi paraburgim pa i shqyrtuar masat alternative që parashikon ligji.

Përdorimi i paraburgimit në Kosovë është kritikuar prej vitesh nga misionet ndërkombëtare. Sipas raportit të Misionit të OSBE-së në Kosovë për paraburgimin (tetor 2023), gjykatat e kanë caktuar paraburgimin në 89% të seancave të monitoruara, ndërsa nga 70 kërkesa të prokurorisë vetëm 6 janë refuzuar, gjë që sipas OSBE-së «sugjeron mbikëqyrje dhe shqyrtim të pamjaftueshëm».

Kërkesat e prokurorisë shpesh janë «të paqarta, teorike, abstrakte ose formulaike», ndërsa gjykatat i përsërisin ato «fjalë për fjalë» në vendimet e tyre. Edhe më shqetësues është raporti i Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) për vitin 2024: nga 67 aktvendime për paraburgim të analizuara, vetëm 7 i plotësonin të gjitha kushtet ligjore. Sipas EULEX-it, paraburgimi «shpesh zbatohet në mënyrë sistematike, pa arsyetim të duhur», rreziqet për të cilat caktohet «përmenden shkurt, pa arsyetim konkret», ndërsa në 57 aktvendime nuk është dhënë asnjë arsye pse nuk është shqiptuar një masë më e butë.

Këto gjetje marrin peshë të veçantë në rastet ku ankuesi është figurë me ndikim. Në Raportin për Kosovën 2025, Komisioni Evropian vlerëson se në gjyqësor «mbetet ndikimi i padrejtë nga burime të ndryshme të brendshme dhe të jashtme» dhe e përshkruan marrëdhënien e institucioneve me gjyqësorin si të tensionuar, «sidomos me prokurorinë».

Mbrojtja e Valon Llukës pretendon se rasti i tij përputhet pikërisht me këtë model: paraburgim i kërkuar dhe i miratuar në bazë të deklaratave të palës ankuese, pa konstatim konkret për rrezikun e ikjes dhe pa shqyrtim të masave alternative që mbrojtja i ofroi.

Tani vendimi i takon Gjykatës së Apelit, e cila duhet të shqyrtojë ankesën e mbrojtjes.