16:21 / E Mërkurë, 27 Maj 2020 / indeksADMonline

Ambasada e ShBA-ve: Rritja e rasteve të dhunës në familje gjatë pandemisë është alarmante

Përfaqësues nga Zyra e Programit Ndërkombëtar të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhuruan kompjutera laptopë dhe pajisje tjera për prokurorë, mbrojtësit e viktimave dhe strehimoreve të dhunës në familje për të ndihmuar viktimat e dhunës në familje.

Sipas njoftimit të Ambasadës Prokurorët dhe mbrojtësit e viktimave do të përdorin laptopët për t’u përgjigjur sa më shpejt incidenteve, të cilat shpesh ndodhin jashtë orarit të zakonshëm të punës.

“Kjo do t’u mundësojë prokurorëve të iniciojnë akuza kundër abuzuesve menjëherë. Strehimoret e dhunës në familje do të përdorin pajisjet për t’iu përgjigjur nevojave të viktimave të cilave u ofrojnë strehim, në veçanti për t’i mundësuar fëmijëve viktima të vijojnë mësimin në distancë (online)”- njofton Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ambasada bën thirrje që rastet e dhunës në familje të denoncohen.

“Rritja e theksuar e rasteve të dhunës në familje gjatë COVID-19 është alarmante. Nëse ju ose dikush që njihni vuan nga abuzimi në familje, kërkoni ndihmë duke telefonuar Linjën e Shërbimit falas në 0800 011 112 ose Policinë në 192 ose 0800 19 999. Të gjithë meritojnë të jenë të sigurt në shtëpinë e tyre. #WeAreHereWithYou. (NeJemiMeJu)”.