Angli: Katër gra pretendojnë se janë përdhunuar, gjatë qëndrimit në Kolegjin Ushtarak
Një skandal i rëndë abuzimi ka shpërthyer në Kolegjin e Fondacionit të Ushtrisë në Harrogate, në veri të Anglisë. Katër gra kanë rrëfyer për BBC-në se janë përdhunuar, sulmuar dhe ngacmuar seksualisht gjatë kohës kur ndiqnin këtë institucion ushtarak, të gjitha në moshën 17-vjeçare.
Ato e përshkruajnë ambientin si një mjedis ku mbizotëronte mizogjinia, ngacmimet e vazhdueshme dhe mungesa e plotë e mbrojtjes për viktimat. Njëra prej tyre, e identifikuar me emrin Tilly, rrëfen sulmin e rëndë nga disa ushtarë të tjerë të së njëjtës moshë.
“Ata më thanë: ‘Do të hysh në dhomë?’ Isha një vajzë naive 17-vjeçare. Filluan të bënin gjëra për të cilat unë nuk jepja pëlqimin tim. Kishte shumë prej tyre. Dhe pastaj u përdhunova… nga disa ushtarë të rinj, të së njëjtës moshë me mua. Vazhdoi për orë të tëra”.
Dëshmitë e grave të tjera flasin për sulme brenda dhomave, instruktorë që hynin pa paralajmërim dhe vajza që detyroheshin të flinin pas derës për të penguar hyrjen e ushtarëve meshkuj.
Raportet e BBC-së zbulojnë se vetëm vitin e fundit policia ka marrë 16 raportime për vepra seksuale në këtë kolegj. Ndërsa të dhënat e Ministrisë britanike të Mbrojtjes tregojnë se nga janari 2018 deri në qershor 2025 janë regjistruar 176 ankesa për sjellje të papërshtatshme seksuale — 32 prej të cilave kundër vetë stafit.

