14:33 / E Premte, 05 Mars 2021 / OSH

Arrestimi i 8 zyrtarëve, Mehmeti: Jemi të përkushtuar për zbatim të ligjit dhe integritetit të Policisë

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, pas arrestimit të tetë pjesëtarëve të policisë, ka thënë se mbeten të përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe që policët të jenë me integritet.

Ai ka thënë se hetimet kanë rezultuar me disa prova të caktuara kundër këtyre pjesëtarëve të policisë.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar që ta zbatojë ligjin dhe çdo pjesëtar yni të ketë integritet, hetimet të cilat janë bërë janë hetime që kanë rezultuar me disa prova të caktuara”.

Mehmeti ka thënë se nuk është me rëndësi koha se kur ndodhin arrestimet, por sipsaj tij rëndësia qëndron te përkushtimi dhe të trajtohen në mënyrë të mirëfilltë rastet.

“Kur bëhen hetime ne nuk e shikojmë fare pozitën”.

Kryeshefi  i Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Kushtrim Hodaj, tha se  operacionet e tilla tregojnë për përkushtimin e tyre.

“Hetimi është zgjeruar dhe sot në mëngjes.  Është realizuar aksioni ku janë arrestuar tetë  zyrtarë policorë, operacionet e tilla flasin për përkushtimin e madh ndaj punës”, tha ai.

Të premten policia përmes një aksioni ka arrestuar tetë zyrtarë  policorë me dyshimin për veprat penale: “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, “Cenimi i së drejtës për ushtrimin e mjetit juridik”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrim ndikimi”dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.