Arrestohen dy shtetas të huaj në Prishtinë, dyshohen se ofronin shërbime shëndetësore pa licencë
Dy shtetas të huaj janë ndaluar për 48 orë në Prishtinë, nën dyshimin për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore apo farmaceutike.
Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor, ka realizuar sot një inspektim në një lokacion në Prishtinë, lidhur me dyshimet për ushtrimin e veprimtarisë në fushën e ortoprotetikës pa licencën përkatëse.
Gjatë inspektimit është konstatuar dyshimi se aty po ofroheshin shërbime shëndetësore në kundërshtim me dispozitat ligjore. Si pasojë, Inspektorati Shëndetësor ka ndaluar ofrimin e këtyre shërbimeve.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit dy të dyshuarit, shtetas të huaj, janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës.
Pas përfundimit të procedurave, me aktvendim të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Rasti po trajtohet nga organet kompetente për procedura të mëtejme ligjore./IndeksOnline/

