10:28 / E Premte, 28 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Autoriteti i Konkurrencës dhe policia, me memorandum për kontrolle të paparalajmëruara

Autoriteti i Konkurrencës dhe policia nënshkruajnë memorandum për kontrolle të paparalajmëruara, Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Valon Prestreshi, dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, kanë nënshkruar të premten një memorandum bashkëpunimi midis dy institucioneve, me qëllim të intensifikimit të koordinimit midis palëve në adresimin e shkeljeve të mundshme të konkurrencës.


Ky dokument i rëndësishëm parasheh bashkëpunimin në mes të palëve në fusha të ndryshme, përfshirë këtu shkëmbimin e informacionit, bashkërendimin e aktiviteteve, trajnimin dhe vetëdijesimin, e të tjera.


Por, një nga pikat kryesore të këtij memorandumi ka të bëjë me bashkëpunimin për kryerjen ekontrolleve të paparalajmëruara (apo siç njihet gjerësisht në gjuhën angleze si “dawn raids”) tek
subjektet e dyshuara për shkelje të konkurrencës.
Kjo nënkupton që zyrtarët e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, kërkojnë një autorizim nga gjykata kompetente për të hyrë pa paralajmërim ose leje të veçantë në selinë dhe pronat e subjekteve të dyshuara, si dhe mund të kërkojnë asistencë nga zyrtarët e Policisë së Kosovës në rate specifike.


Kryetari i AKK-së, Valon Prestreshi, ka mirëpritur nënshkrimin e këtij dokumenti, që sipas tij, krijon mundësi shtesë për Autoritetin… që të parandalojë çfarëdo shkeljeje të mundshme të konkurrencës në Kosovë.


Ai ka falënderuar drejtorin e policisë për gatishmërinë e tij për nënshkrimin e këtij dokumenti të rëndësishëm.


Nga ana tjetër, drejtori Qalaj theksoi se Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar që të ndihmojë të gjitha institucionet e vendit për të zbatuar misionin e tyre të përcaktuar me ligjet në fuqi.


Sipas tij, ky memorandum do ta lehtësojë komunikimin dhe bashkëpunimin midis dy palëve.