Basketbollit vendor po i kthehet hijeshia, sallat e stërmbushura: Tifo-grupet dhe FBK komentojnë hapin pozitiv

Jo rastësisht thonë që tifozi është lojtari i gjashtë në ndeshje, pasi përkrahja e tifozëve në një ndeshje sportive luan rol shumë të rëndësishëm në performancën e ekipeve.
Në Kosovë, me theks të veçantë në sportin e basketbollit, përkrahja e tifozëve për skuadrat është unike.
Palestrat në çdo ndeshje janë të stërmbushura, me tifo-grupet që për asnjë çast nuk ndalen duke brohoritur e kënduar për klubin e zemrës. Kjo po vërehet në veçanti edhe këtë edicion, pasi në secilën ndeshje palestrat po ‘gumëzhijnë’ nga tifozë të shumtë.
Sipas sekretares së përgjithshme të Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushkut ky rikthim i interesimit për basketbollin në Kosovë për shkak të bashkëpunimit të tyre me klubet.
“Rikthimi i popullaritetit të basketbollit në vendin tonë ka ardhur si rezultat i punës së palodhshme të Federatës në bashkëpunim me klubet e saj dhe me të gjitha grupet e tjera të interesit. Vetëm në këtë mënyre, pra në mënyre të bashkuar ne kemi mundur të arrijmë aty ku jemi sot pra të kemi palestra të stërmbushura qysh në xhirot e para”, u përgjigj ajo për lajmi.net.
Këtë avancim, me një sy tjetër e shohin tifozët. Prince Caffe Superliga e Kosovës është e pasur me lojtarë të shumtë të huaj, dhe kjo për kryetarin e tifo-grupit të Pejës, Arbër Berisha ndikon që interesimi të jetë i madh.
“Rivaliteti dhe ngritja e cilësisë me lojtarë të huaj janë arsyeja që palestrat po mbushen me shikues”, u shpreh kryetari i ‘Shqiponjave’.
E për ta mbajtur të ‘gjallë’ këtë interesim, Dushku tha se kanë një plan strategjik e të marketingut dhe kjo ka bërë që të jenë federata e dytë më e madhe në vend.
“Federata e Basketbollit e Kosovës e ka Planin Strategjik 2021-2025 (të cilin ju mund ta gjeni në faqen zyrtare të FBK-së, si dhe Planin e Marketingut për vitin 2022 ashtu si edhe të gjitha planet tjera vjetore. Vetëm në këtë mënyrë, pra me punë organizative dhe menaxheriale ne kemi arritur aty ku jemi tani, pra të jemi jo vetëm në letër Federata e dytë më e madhe në vend, por edhe në implementim të gjithë punës që e kemi hartuar në planet tona”, vazhdoi ajo.
Edhe çmimi i biletave për të përcjellë një ndeshje basketbolli duket se është i përshtatshëm. Çmimet sillen nga 2 euro deri në 10 apo 15 euro për zonën VIP.
Kjo sipas Berishës është e duhura, por që duhet të ndajnë bileta falas për persona me aftësi të kufizuara dhe të kenë vende të posaçme në tribuna.
‘Çmimi i biletave duhet të jetë 2 euro për anët pas koshave, 3 euro balli dhe 10 euro VIP! Personat me aftësi të kufizuara duhet të kenë biletat falas dhe të kenë të ndarë vendin e posaçëm dhe të kenë qasje dhe siguri të shtuar”, shtoi kryetari i tifo-grupit të Pejës.
Sa i përket çmimit të biletave, sekretarja e FBK-së u shpreh se ka të bëjë me çështjen e brendshme të klubeve dhe se federata nuk preferon të ndërhyjë në atë pjesë.
“Çmimet e biletave janë çështje e brendshme organizative e klubeve dhe ne nuk i lejojmë vetes te përzihemi ne çështjet e brendshme te klubeve. Ne mund te japim komente vetëm për çmimet e biletave kur Federata direkte e atyre ndeshjeve, siç është rasti kur Kosova luan ne kualifikime apo para kualifikime te garave zyrtare te FIBA-s”, përfundoi ajo.
Interesimi i madh për një ndeshje ka edhe anën negative, pasi himnet e tifozëve përmbajnë edhe gjuhë të urrejtjes ndaj kundërshtarit, por kjo sipas Berishës mund të ndalet me ndihmën e policisë dhe federatës.
“Koret fyese mund ti ndalë federata së bashku me policinë duke zbrazur tribunat, mirëpo paraprakisht të takohen me prijësit e tifozëve dhe ti paralajmërojnë”, tha udhëheqësi i njërit prej tifo-grupeve më të mëdha në vendin tonë.
Një problem që hasin tifozët është edhe numri i ulëseve në palestra. Ka pasur raste kur shumë prej tyre kanë mbetur jashtë, pasi ka interesim të lartë për ndeshje basketbolli, por kapaciteti i palestrave është i vogël.
Gjithashtu, ato përdoren për sporte të tjera, andaj kryetari i tifo-grupit të Pejës inkurajon që të ndërtohen në 10 qytete palestra me kapacitete më të mëdha.
“Palestrat janë të stër-ngarkuara me aktivitete nga të gjitha sportet e sidomos nga ato me top dhe vetëm menaxhimi vetëmohues I mirëmbajtësve të palestrave bën që ato të jenë të kapshme për aktivitete. Përndryshe duhet që në së paku 10 qytete të ndërtohen palestra me kapacitet së paku 6000 ulëse”, përfundoi ai.
Basketbolli ka qenë sporti që ka mbledhur më shumë tifozë, sidomos në dekadën e parë të 2000’. Një rënie e lehtë u vërejt pas entuziazmit të madh me pjesëmarrjen në BIBL, por, duket se tashmë hijeshia i është kthyer palestrave vendore. Ndeshjet e basketbollit po i mbushin palestrat edhe në sezonin e rregullt. Me një ritëm të tillë të pjesëmarrjes së tifozëve në tribuna, faza e ‘Play Off’ shihet si spektakël i garantuar.