13:22 / E Mërkurë, 08 Korrik 2020 / indeksADMonline

Dorëhiqet Grupi punues për procesin e vettingut


Ehat Miftaraj i ka dërguar një letër ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, me anë të së cilës njofton dorëheqjen e Grupit punues për vettingun.

Në letrën e largimit thuhet se sistemit i reformës së vettingut është duke devijuar.

Anëtarë të Grupit punuës për vettingun ishin, Ariana Qosaj-Mustafa, Arton Demhasaj, Arbëresha Loxha, Ehat Miftaraj, Fisnik Korenica, Kreshnik Gashi dhe Kujtim Kërveshi.

“I nderuar ministër Selimi,

Ju shkruaj në emër të Grupit të ekspertëve të pavarur, i themeluar me vendimin nr.08/04, të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me përgjegjësi në hartimin e skenarëve mbi elementet e reformës së vettingut në sistemin e drejtësisë.

Sikurse edhe jeni në dijeni, që nga miratimi i këtij vendimi, në Kosovë shumë procese të rëndësishme janë penguar për shkak të pandemisë COVID-19, duke ndikuar edhe në punën e grupit të ekspertëve të pavarur.

Javën e kaluar ne kemi pranuar një email nga drejtori i Zyrës ligjore të Ministrisë së Drejtësisë, z. Adrian Bajraktari, ku ndër të tjera ne informohemi se ju si ministër i Drejtësisë keni vendosur të themeloni një grup të ri punues për t’u miratuar në Qeveri lidhur me hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për çështje të reformës në sistemin e drejtësisë me qëllim të adresimit të llogaridhënies, duke mos përjashtuar edhe procesin e vettingut.

Në pajtim edhe me qëndrimin tonë të sqaruar në takimin e mbajtur në mes të ekspertëve të pavarur në zyrën tuaj dhe në prani edhe të zëvendëskryeministrit z.Driton Selmanaj, përmes kësaj shkrese Ju informojmë se si grup në mënyrë kolektive tërhiqemi nga puna e Grupit punues, duke marrë për bazë se koncepti dhe qëllimi origjinal i idesë për të hartuar skenarët mbi elementet e reformës së vettingut në sistemin e drejtësisë në Kosovë është duke devijuar përmes qasjes së re, ku pjesëmarrja apo kontributi i grupit të ekspertëve ka humbur rëndësinë.

Qëllimi i grupit të ekspertëve asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk është të jetë servis i partive politike, por qëllim i pastër për të ofruar ekspertizën dhe njohuritë tona lidhur më këtë fushë kaq të rëndësishme për sundimin e ligjit në Kosovë. Dhe që në fund do të mund të përkthehej në një dokument, i cili do të ishte pikë nisje për Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës për të marrë vendime që u takojnë në bazë të Kushtetutës dhe ligjit, për të pastruar sistemin e drejtësisë, dhe për të ngritur integritetin personal dhe institucional të aktorëve kyçë në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Me qasjen e re, fushëveprimi dhe qasja e grupit tanimë është bërë pothuajse e parëndësishme dhe do të kishte efekt mbase edhe negativ më pjesëmarrjen në një grup kaq të madh dhe ku rol kryesor, duket se do të kenë m’u aktorët kryesorë, të cilët do të duhej të jenë subjekt i procesit të vettingut, dhe ku qëndrimi i shumicës prej tyre tanimë është i njohur për publikun, kundër porcesit të vettingut.

Ju njoftoj se qëndrimi ynë ndërlidhet vetëm me anëtarët e Grupit të ekspertëve, pa paragjykuar pjesëmarrjen e organizatave që ne përfaqësojmë në grupin e ri punues.

Me respekt,

Ariana Qosaj Mustafa, anëtare

Arton Demhasaj, anëtar

Arbëresha Loxha, anëtare

Ehat Miftaraj, anëtar

Fisnik Korenica, anëtar

Kreshnik Gashi, anëtar

Kujtim Kërveshi, anëtar