Drejtësia nuk është letërsi, as poezi, për një presje – të shkon koka!
Gjykatësi Charles Smith me gojë të vet e bëri ispat rrenën kundër presidentit tonë Hashim Thaçit të cilin e quajti “kryekomandant”. Mos e vet se të kallzon vetë. Para gjyqit do ta kishin nxjerr edhe kryekomandantin e UÇK-së, Adem Jasharin… I fajësoi të kenë vepruar sipas akuzës së ZPS-së -“ndërmarrja e përbashkët kriminale”. Për t’i bërë qejfin Rusisë e Serbisë agresore, UÇK-në tërthorazi e tipizoi organizatë kriminale! Guerilën!
Ushtria jonë bashkë me NATO-n ia thyen qafën Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit. Sipas kësaj logjike, edhe NATO na qenka kriminale!

——
Nga Agim Muhaxheri
Kuvendi ynë më 3 gusht 2015 ia ndezi dritën jeshile “lex speciales” – ligjit për formimin e Dhomave të Specializuara dhe
Zyres së Prokurorisë së Specializuar.
Keq a mirë ndodhi ajo çfarë ndodhi më 2015-tën.
Prokurorët dhe gjykatësit e Speciales e keqpërdorën ligjin…
UÇK-në e nxorën në shtyllën e turpit. E kriminalizuan, bartësit e saj i paraqitën të kenë vepruar si një bandë… duke ua veshur cilësimin juridik – “ndërmarrja e përbashkët kriminale”.
Ish- presidenti e të tjerët na qenkan fajtorë edhe për atë çfarë ndodhi me mezatin e spiunit të Serbisë, Agjm Idrizit të Llanishtes së Kaçanikut!
I kap ‘paragrafi’ sipas të ashtuquajturës – “NPK”.
Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin nuk i dënuan pse e ‘thyen bankën’, por pse e bën luftën me Serbinë agresore.
Lex speciales ia bënë rëndgenin. Pritet që për të në ‘sallën e operacionit’ ta thonë fjalën “kirurgët”…
Ta thonë fjalën deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Deshëm s’deshëm deputetët do ta miratojnë ndryshim – plotësimin e ligjit të diskutueshëm. Kuvendi e bën ndryshim – plotësimin e ‘ligjit të vet’!
Dënimet drakoniane ndaj krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë, me gjithsej 81 vjet burg, ngriti në këmbë jo vetëm Kosovën, por edhe metropolet europiane.
Sërish sot, pas 16 shtatorit 2026, Prishtina bëhet “terr” nga lumi i madh i njerëzve.
Brohoriten slloganet në të dy gjuhët – shqip e anglisht:
Liria ka emër – UÇK!
Jo në emrin tim!
Ndodh rastësia: Përsëritet 1 tetori i 97-ës – protesta e studentëve kundër dhunës serbe, sot kundër Eulexit.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith kur e shpalli aktgjykimin ‘pacientin’ e ZPS-së, ish- presidentin Hashim Thaçin e quajti “kryekomandant”!
Smith e bëri ispat me gojë të vet rrenën kur e quajti Hashim Thaçit – “kryekomandant”!
Mos e vet, të kallëzon vetë!
Smithit i ‘rrëshqiti gjuha’ kur përdori fjalën “kryekomandant”.
Me tipat që tërthorazi shpalosin kompleksin, aversionin ndaj dikujt është marrë psikanalisti Sigmund Freudi.
Hashim Thaçi në luftë nuk ishte krykomandant, as komandant, por drejtor politik i Drejtorisë Politike të UÇK-së…
ZPS do ta kishe nxjerr para gjyqit edhe krykomandantin e UÇK-së, Adem Jasharin.
Shteti ynë nuk i kurseu avokatët… Ua rrasi gushën me pare, derdhi miliona… E ata pësuan fiasko…
Çfarë do të jetë lufta e tyre në procedurën e ankimimit, Gjykatën e Apelit pritet të shihet…
Në malin e madh të “provave” juridike të Prokurorisë së Serbisë – për ZPS-në e ke edhe Dosjen A. J. Aty bëhet fjalë për procesin e 15-ve, 12 prej të cilëve janë dënuar në mungesë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, më 11 korrik 1997.
Atëbotë gjykata e regjimit të Millosheviqit i pat dënuar në mungesë, Adem Jasharin, Rexhep Selimin… me nga 20 vjet burg, ndërsa Hashim Thaçin me 10 vjet burg për terrorizëm!
Këtë proces e kam ndjekur për dy gazeta – “Bujkun” dhe “Rilindjen” (dilte në Zofingen të Zvicres). Raportin e parë, të 4 qershorit 1997, e kam titulluar “Deklarata vetakuzuese në hetuesi të nxjerra me elektroshok”.
Ndërkaq, raportin për fundin e procesit e kam titulluar “Shqiptarëve të pambrojtur: 264 vjet burg”.
Njëri nga mbrojtësit e këtij procesi ishte avokati legjendar Bajram Kelmendi…
Kelmendi bëri kallëzimin penal kundër Sllobodan Millosheviqit në Tribunalin e Hagës. Kjo i kushtoi me jetë. Atë dhe dy bijtë e tij forcat e errëta serbe i kidnapuan në shtëpi më 24 mars 1999 dhe trupat e tyre të pajetë u gjetën të nesërmën – te një pikë karburanti, skaj rrugës që shpie për në Fushë Kosovë.
Se UÇK nuk ishte organizatë kriminale, po çlirimtare, asaj në gjykatore i dolën në mbrojtje dy dëshmitarët amerikanë, zyrtarët më të lartë të Amerikës, diplomati James Rubin dhe Wesley Clark, gjenerali me nam i NATO-s.
Drejtësia nuk është letërsi, as poezi, për një presje të shkon koka!

