Drenasi koncentron votën te kandidatët e vet: Katër emra të PDK-së marrin rreth 50% të votave të partisë
Nga 73 vendvotime sa janë gjithsej në Komunën e Drenasit, deri tani janë numëruar 20, që përbëjnë rreth 27 për qind të procesit të numërimit të votave për kandidatët për deputetë.
Megjithëse në këto zgjedhje pjesëmarrja në votime ishte më e ulët krahasuar me proceset e kaluara, votuesit e Drenasit duket se e kanë koncentruar mbështetjen te kandidatët lokalë të Partisë Demokratike të Kosovës.
Sipas rezultateve të deritashme, Isak Neziri, Altin Krasniqi, Fadil Demaku dhe Tringa Bujupi kanë siguruar së bashku rreth 50 për qind të votave që PDK-ja ka marrë në Drenas, duke dëshmuar mbështetjen e madhe të elektoratit për përfaqësuesit e kësaj komune.
Një rezultat të veçantë po shënon edhe Tringa Bujupi, e cila deri tani renditet si gruaja më e votuar e PDK-së në Drenas. Ky rezultat vjen pas suksesit të saj edhe në zgjedhjet lokale, ku ishte asamblistja më e votuar në komunë.
Me numërimin e pjesës së mbetur të vendvotimeve pritet të qartësohet edhe më tej renditja përfundimtare e kandidatëve, por trendi aktual tregon se votuesit drenicas kanë zgjedhur t’u japin mbështetje të fuqishme kandidatëve të zonës së tyre.

