12:25 / E Hënë, 20 Janar 2020 / indeksADMonline

Dy trajnerët e parë të Amir Rrahmanit tregojnë detaje interesante: Si arriti nga lloçi i Kosovës, te Napoli?

Amir Rrahmani është shembulli se si një lojtar nga futbolli kosovar me punë e përkushtim mund të arrijë në nivelet më të larta të futbollit evropian.

Futbollisti prishtinas karrierën do ta vazhdojë te gjiganti italian, Napoli.

Trajneri i parë i Rrahmanit te Kosova e Prishtinës, Avni Gashi, ka treguar për Klan Kosova zhvillimin e Rrahmanit si futbollist.

“Për suksesin e Amir Rrahmanit është vendimtare dëshira e tij për futboll dhe puna në stërvitje”, u shpreh Gashi.

“Në atë pozitë ka luajtur gjithmonë, numrin 5 të fanellës e ka pasur në shpirt. Disiplina dhe përkushtimi i tij ishte i jashtëzakonshëm, por e ka ndihmuar shumë edhe dashamirësia e familjes së tij”.

“Kjo është fanella e parë të cilën kam dashur t’ia dhurojë, por ma ka lënë si kujtim”, shtoi ai.

Trajneri i dytë i Amirit ishte Ilir Sopi.

Ai e vlerëson Amirin si shembull për fëmijët tjerë që luajnë futboll në Kosovë.

“Duhet ta shikoni Amirin nga ku nga dalë dhe ku ka arritur. Ai ka arritur në kushte edhe më të vështira. Fëmijët tanë nuk duhet të gjunjëzohen dhe të mos dëshpërohen”, deklaroi Ilir Sopi.

Sopi i mbanë ende shënimet për Rrahmanin, të cilat i kishte mbledhur kur e kishte futbollist.

Kapiteni i Kosovës pritet të zyrtarizohet së shpejti te Napoli.