12:35 / E Premte, 19 Korrik 2019 / indeksADMonline

Filmi Kosovar “Në Mes” po udhëton në festivale prestigjioze Europiane

Në qershor filmi e kishte premierën Norvegjeze në festivalin “Kortfilmfestivalen” në Grimstad të Norvegjisë dhe pastaj udhëtoj në Maltë për Festivalin “Valleta Film Festival” ku garoj në kategorinë “Cinema of Small Nations”. 

Po në qershor regjisori Samir Karahoda udhëtoi në Sllovaki për ta prezantuar filmin në “ArtFilm Fest” të Koshices ku pati rastin të bashkëbisedoj me audiencën pas dy shfaqjeve të filmit në programin garues të filmave të shkurtë ndërkombëtar. Gjatë muajit korrik filmi u shfaq në festivalin prestigjioz Portugez“Curtas Vila do Conde” ku nga kritikët e filmit u vlerësua si një nga gjashtë filmat e festivalit që duhet të mbahen në mend.

Sot, filmi merr udhëtimin përtej oqeanit atlantik ku do ta ketë premierën e Amerikës Latine në festivalin Meksikan “Guanajuato International Film Festival” ku garon për filmin më të mirë të shkurtë ndërkombëtar.

Regjisori i filmit Samir Karahoda u shpreh jashtëzakonisht i lumtur që filmi po vlerësohet nga festivale të rëndësishme e serioze në industrinë e filmit. “Mendoj që është nje arritje e madhe për kinematografinë tonë pasi që filmi po depërton edhe në vendet që nuk na kanë njohur ende si psh. Ukraina, Slovakia, Meksika… dhe ne me prezencën tonë po arrijme ta përfaqësojmë vendin në mënyrën më të mirë të mundshme me një vepër kinematografike cilësore. Me sa duket filmi do të ketë një rrugëtim të gjatë, pothuaj çdo javë pranojmë ftesa për filmin nga vende të ndryshme të botës.”

Pas Meksikës filmi kthehet në vendlindje përmes shfaqjes speciale në edicionin e tetëmbëdhjetë të DokuFest me prezencën e ekipit dhe protagonistëve të filmit. Kjo njëkohëesisht do të shënoj edhe premierën kombëtare të filmit.

Filmi pastaj vazhdon udhëtimin për në Sarajevë, ku do të garoj për çmimin “Zemra e Sarajevës” në kuadër të garës për filmin më të mirë dokumentar të “Festivalit të Filmit Sarajevë”.

“Këtë muaj e përmbyllim me pjesëmarrje në festivalin e filmit në Odense të Danimarkës, që është edhe festival që kualifikon për çmimin Oskar” theksoi producenti i filmit Eroll Bilibani dhe shtoi “jemi duke pranuar konfirmime vazhdimisht dhe besoj që së shpejti do ta njoftojme edhe opinionin publik për rrugëtimin e filmit edhe në festivale tjera.”

“Në Mes” do të shfaqet gjatë edicionit te 18’të të DokuFest, të Premtën më 9 gusht duke filluar nga ora 20:00 në kinemanë Lumbardhi.

Filmi “Në Mes” është prodhim autentik nga Kosova dhe është realizuar me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Bankës për Biznes, Komunës së Prizrenit dhe Komunës së Prishtinës.