12:57 / E Premte, 03 Prill 2020 / indeksADMonline

Flasin personat që i kanë bërë 14 ditë qëndrimi në karantinë: Duam të shkojmë në shtëpitë tona

Shkonte e punonte në Mal të Zi, mirëpo me tu përhapur Covid-19, ai u detyrua të kthehet në Kosovë, e rrjedhimisht, së pari u dërgua në Qendrën e Studentëve, e cila është shndërruar në karantinë për të gjithë të kthyerit në Kosovë, nga vende të ndryshme jashtë saj.

Personi i cili ka dashur të mbetet anonim, i ka treguar IndeksOnline, se sot i ka mbushur 14 ditë të qëndrimit të tij në këtë karantine, aq edhe sa parashihet të qëndronte, për shkak të kohës së inkubacionit të virusit.

Mirëpo ai, ka humbur shpresën që do dal sot, meqë brenda karantinës, siç thotë, ka persona që i kanë mbushur edhe nga 17 ditë, e nuk po i lejojnë të largohen nga aty. Ai nuk e di arsyen pse kjo po ndodh dhe tregon tutje se deri më tani nuk i është bërë asnjë analizë apo test, për të parë gjendjen e tyre shëndetësore.

“Po na gënjejnë, po na thonë që sot kemi me ba teste, por po na gënjejnë”, tha ia në kushte anonimiteti për IndeksOnline.

I karantinuari tregon tutje se sot ishin përgatitur për të dal jashtë, pa pyetur askënd, por se ishin ndaluar dhe policia ishte përforcuar edhe me njësinë speciale të saj, që kjo të mos ndodh.

Kërkesa e tij e vetme është që të largohet nga kjo qendër, meqë do të kthehet në familjen e tij e cila po e pret tash e sa kohë./IndeksOnline/