22:32 / E Martë, 16 Korrik 2019 / indeksADMonline

“Fusha e Mëllenjave” hap edicionin e 11-të të PriFest

Problemet e një të burgosuri politik shqiptar, i cili e ka vështirë të jetojë me të kaluarën, u shfaqen në Pri Film Fest. Premiera kombëtare e filmit të metrazhit të gjatë “Fusha e Mëllenjave” e regjisores Arzana Kraja, shfaq një personazh që nuk gjen paqe në asnjë vend.

Ky film, i cili hapi edicionin e sivjetmë të festivalit ndërkombëtar PriFest, u prit mjaft mirë dhe me plot emocione nga audienca.

Në hapësirat e Teatrit Kombëtar të Kosovës, të martën mbrëma u mbajt ceremonia e hapjes së edicionit të 11-të të PriFest.

Mysafirët u pritën në tapetin e kuq, nën tingujt e bendit “Dont’t listën to your neighbors”.

E para shfaqjes së filmit, i cili e hapi këtë edicion, foli kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

 “E di qe Vjosa, dhe ekipi kanë punuar me vite. Si kryeministër i Republikës sё Kosovës, jam i lumtur tё shoh kёtё arritje tё madhe nё kinematografi – njё e arritur e merituar”, tha Haradinaj.

E drejtoresha e festivalit, Vjosa Berisha tha se ndjehen krenarë me këtë festival.

“Kemi filluar 11 vjet mё parё kur Kosova kishte vetёm njё kinema dhe kёtё vit kemi mundёsinё tё sjellim 70 filma brenda njё jave, kur edhe kemi mё shumё kinema, mundёsi si dhe kemi sjellur shumё miq dhe musafirё nё Prishtinё.  Jemi krenarё pёr kёtё”, tha ajo.

Ceremonia u hap me shfaqjen e filmit 90 minutësh “Fusha e Mëllënjave”, projekt filmik që është koproduksion ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Anglisë.

Në rolet kryesore të këtij filmi u shfaqen aktorët: Shkumbin Istrefi, Astrit Kabashi, Naser Beka, Meli Qena, Shengyl Ismajli, Irena Cahani dhe të tjerë.

Përveç shfaqjes së filmave, në kuadër të PriFest, do të organizohen edhe shumë aktivitete, punëtori, e mbrëmje festive të muzikës live, me pjesëmarrje të shumë artistëve të huaj.

Për gjashtë ditë me radhë, në kuadër të Pri Fest do të jenë mbi 70 filma, prej tyre 7 premiera botërore, 5 premiera ndërkombëtare, 1 premierë evropiane, 19 regjionale dhe 32 premiera kosovare.

Kujtojmë se ceremonia e hapjes sonte u bë sot edhe në kinemanë ABC në Prishtinë me fillim prej 21:45.