75 Mall Live Search
11:53 / E Martë, 02 Dhjetor 2025 / b l

Gashi i bën thirrje qeverisë në detyrë që ta ndajë buxhetin e kërkuar nga KQZ-ja për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi i ka bërë thirrje qeverisë në detyrë që ta ndajë buxhetin për zgjedhjet e parakohshme të Kuvendit të Kosovës që do të mbahen më 28 dhjetor, duke theksuar se çdo përpjekje për ta parcializuar buxhetin do të konsiderohet ndërhyrje dhe cenim i procesit zgjedhor.

“Ndarja e buxhetit për operacionet zgjedhore është parakusht thelbësor për fillimin e përgatitjeve për zgjedhjet. Asnjë proces prokurimi apo kontraktimi nuk mund të nisë nga sekretariati i KQZ-së pa siguruar më parë buxhetin. I bëj thirrje qeverisë në detyrë që urgjentisht të ndajë buxhetin e kërkuar nga KQZ-ja! Çdo përpjekje për ta parcializuar buxhetin do të konsiderohet ndërhyrje dhe cenim i procesit zgjedhor. Prandaj, buxheti duhet të ndahet pa humbur kohë, në çdo cent, ashtu si është kërkuar.

Në mbledhjen e 25 nëntorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar planin e buxhetit me vlerë 11,493,526 euro, ndërsa kostoja fillestare e planifikuar ishte 7,771,486 euro.

Për çështjen e buxhetit të KQZ-së, në një konferencë për media më 27 nëntor që pati ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati pas mbledhjes së qeverisë në detyrë, deklaroi se do të shihet mënyra se si do të bëhet zgjidhja.

“Sa i përket buxhetit të KQZ-së. Kemi pranuar kërkesën por duhet të shohim të gjejmë buxhetin sepse nuk kanë qenë të buxhetuara zgjedhjet e parakohshme. Duhet të gjejmë kursime të tjera dhe të shohim për të siguruar mjetet e nevojshme për organizimin sa më të mirë të zgjedhjeve. Kjo më kthen në atë pse s’po bëni zgjidhje? Sepse hapësira është e kufizuara, pra na me ndarjen  e buxhetit të RTK-së tash e kemi hapësirën më të zvogëluar për të gjetur zgjidhje për KQZ-në. Sa më shumë probleme që na kanë dhënë PDK, LDK, AAK, Nisma  duke mos votuar buxhetin e RTK-së, buxhetin e vitit të ardhshme, marrëveshjet ndërkombëtare dhe tri komunat aq më e vështirë bëhet gjetja e zgjidhjes. Pra qëllimi si duket ka qenë që a ngushtojnë hapësirën e veprimit me shpresën se mos po kolapson i gjithë shtetit dhe ata të dalin e të sillen si triumfalistë në kurriz të shtetit dhe kjo është tragjike për besë”, pati deklaruar Murati.