12:54 / E Mërkurë, 14 Prill 2021 / OSH

“Gjermania do të tërhiqet nga Afganistani kur Shtetet e Bashkuara të tërhiqen”

Ministrja gjermane e Mbrojtjes Anegret Kramp Karenbauer deklaroi se trupat gjermane do të tërhiqen nga Afganistani, atëherë kur do të tërhiqen edhe forcat amerikane.

Ajo shprehu pritjen që ky plan të konfirmohet në seancën e sotme të jashtëzakonshme të NATO-s.

Zyrtarët e administratës amerikane njoftuan se Presidenti i SHBA Joe Biden do të njoftojë planet për tërheqjen e plotë të forcave amerikane nga Afganistani deri më 11 shtator të këtij viti, në 20 vjetorin e sulmeve terroriste në Kullat Binjake në New York dhe ndërtesën e Pentagonit.

Kjo do të mbyllte kapitullin e historisë amerikane mbi luftën më të gjatë amerikane, megjithëse kritikët paralajmërojnë se paqja në Afganistan nuk është e sigurt edhe pas dy dekadash konflikti, raporton Reuters.

“Ne gjithmonë kemi thënë se do të bëjmë gjithçka së bashku, kështu që po e bëjmë atë. Kjo do të thotë që Gjermania, si një anëtare e NATO-s, do të sinkronizojë planet e saj për t’u tërhequr nga Afganistani me Shtetet e Bashkuara,” tha Anegret Kramp Karenbauer.