Google sjell një mundësi të re për përdoruesit e Gmail, tashmë mund të ndryshojnë adresën e emailit
Google ka mundësuar një funksion të ri për përdoruesit e Gmail, duke u lejuar atyre të ndryshojnë emrin e adresës së emailit pa pasur nevojë të hapin një llogari të re.
Përmes këtij funksioni, përdoruesit mund të ndryshojnë pjesën e adresës që vjen para “@gmail.com”, duke ruajtur të njëjtën llogari dhe të dhënat e tyre ekzistuese, transmeton IndeksOnline.
Sipas udhëzimeve të publikuara nga Google, pas ndryshimit, adresa e vjetër mbetet e lidhur me llogarinë si adresë alternative. Kjo nënkupton se përdoruesit do të vazhdojnë të pranojnë email-e si në adresën e vjetër, ashtu edhe në atë të renë, ndërsa mesazhet dhe skedarët e ruajtur nuk humbin.
Për të bërë ndryshimin, përdoruesit duhet të hyjnë në cilësimet e llogarisë Google, të zgjedhin “Personal info”, më pas “Email” dhe “Google Account email”. Nëse opsioni është i disponueshëm, mund të vazhdojnë me përzgjedhjen e një adrese të re.
Megjithatë, funksioni nuk është ende i disponueshëm për të gjithë përdoruesit në botë. Google ka konfirmuar se mundësia është aktive për përdoruesit në SHBA, ndërsa zgjerimi në vendet e tjera nuk ka një afat të përcaktuar.
Përdoruesit mund të krijojnë një adresë të re Gmail vetëm një herë brenda 12 muajve dhe deri në tri herë në total.

