13:14 / E Enjte, 03 Dhjetor 2020 / OSH

Greqia e zgjat përsëri afatin e izolimit, mbetet e mbyllur deri në mesin e dhjetorit

Greqia e ka zgjatur afatin e izolimit deri më 14 dhjetor me qëllim të kufizimit të numrit të të infeksioneve me koronavirusin, bëri të ditur të enjten zëdhënësi qeveritar, Stelios Petsas.

Këto masa, të cilat janë marrë pas valës së dytë të rasteve në vendin ballkanik, edhe më parë janë zgjatur për një javë pas skadimit të afatit fillestar.


“Ekziston një stabilizim apo më shumë një rënie e rasteve, por me një ritëm më të ngadalshëm sesa është pritur”, tha zëdhënësi qeveritar gjatë deklaratës në televizionin.

Masat kufizuese fillimisht ishin planifikuar për t’u hequr, më 30 nëntor, por Qeveria e zgjati afatin deri më 7 dhjetor e me vendimin e fundit ato do të mbeten në fuqi deri më 14 dhjetor, shkruan Reutersi, transmeton Gazeta Express.

Deri tani, Greqia ka regjistruar rreth 110.000 persona të infektuar me virusin SARS-CoV-2 dhe 2.186 të vdekur.

Gjatë fazës së parë të pandemisë, Greqia ia doli të shpëtonte me numër relativisht të vogël të rasteve falë izolimit të hershëm dhe masave të tjera të rrepta.