Hasani: Nga sot Kosova s’ka ushtrues detyre të presidentit, deri në zgjedhjen e kryetarit të kuvendit
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka deklaruar se nga sot Kosova nuk ka ushtrues detyre të presidentit, pasi ka përfunduar mandati i kryetarit të kuvendit të legjislaturës së kaluar.
Në një prononcim për IndeksOnlinen, Hasani i është referuar nenit 14 të rregullores së Kuvendit të Kosovës, i cili përcakton mandatin e kryetarit dhe nënkryetarëve të kuvendit pas shpërndarjes së kuvendit dhe deri në seancën konstituive.
Sipas këtij neni, “kryetari dhe nënkryetarët vazhdojnë punën deri në seancën konstituive, me qëllim të ruajtjes së vazhdimësisë administrative të punës së kuvendit”.
Hasani ka theksuar se kjo dispozitë nënkupton se deri në ditën e sotme Kosova ka pasur kryetar të kuvendit dhe rrjedhimisht edhe ushtrues detyre të presidentit.
“Deri sot kemi pasur kryetar të kuvendit dhe rrjedhimisht ushtrues detyre president; nga sot nuk kemi deri sa të zgjidhet”, ka deklaruar Hasani.
Sipas tij, situata do të mbetet e tillë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të kuvendit, proces që pritet të zhvillohet në kuadër të seancës konstituive të legjislaturës së re./IndeksOnline/

