13:13 / E Enjte, 22 Tetor 2020 / OSH

Hoti: Qeveria synon t’i shpërndajë edhe 2 milionë euro, për komunitetet joshumicë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur në një takim përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë, me të cilët ka diskutuar për planin e zbatimit dhe promovimin e programit për rimëkëmbje ekonomike, përkatësisht për Masën 9-të, e cila lidhet në mënyrë specifike me këto komunitete.

“Në bazë të programit të miratuar në Qeveri, ne e kemi shpërndarë një shumë prej 1.7 milionë eurosh, si mbështetje për komunitetet joshumicë, ndërsa tani planifikojmë t’i shpërndajmë edhe 2 milionë euro për këto komunitete dhe kjo deri në fund të dhjetorit të këtij viti, në mënyrë që t’ua ofrojmë mbështetjen e duhur në përballimin e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 ”, tha kryeministri Hoti.

Po ashtu, kryeministri Hoti vlerësoi dhe kërkoi angazhimin e të pranishmëve për shpërndarje të informacioneve dhe identifikimin e rasteve, në mënyrë që ato raste të aplikojnë për të përfituar në kuadër të kësaj shume, të cilën Qeveria e ka alokuar për ta.