INPO kërkon auditim nga ZKA për kontratën e KQZ-së: mungesa e raportit digjital lë hapësirë për dyshime në procesin zgjedhor
Organizata INPO, në kuadër të monitorimit të integritetit të prokurimit publik dhe të debatit rreth problemeve me fletëvotimet e kontestura, ka analizuar kontratën ndërmjet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe kompanisë CETIS d.d. në Slloveni, për shtypjen e fletëvotimeve, broshurave dhe listave të votuesve për Zgjedhjet Lokale 2025.
Analiza e INPO-s tregon se KQZ-ja ka kërkuar që operatori ekonomik të posedojë certifikatat ndërkombëtare të sigurisë ISO 9001, ISO 14298 dhe ISO 27001, të cilat përfshijnë sistemin për kontrollin dhe gjurmueshmërinë digjitale të dokumenteve të sigurisë (audit trail digital) – një mekanizëm që garanton ndjekjen elektronike të çdo fletëvotimi nga momenti i shtypjes e deri në dorëzimin përfundimtar. Megjithatë, INPO gjen se, ndonëse këto certifikata janë kërkuar në tender, KQZ-ja në kontratë, nuk ka kërkuar që OE-ja të ofrojë raportin e auditimit digjital, raport i cili do të mundësonte verifikimin e saktë të procesit të shtypjes dhe identifikimin e menjëhershëm të çdo defekti teknik.
Në letrën e saj zyrtare të datës 11 nëntor 2025, kompania CETIS konfirmon se defekti në numërimin e fletëvotimeve për komunat Mitrovicë e Jugut dhe Gjakovë ka ndodhur si pasojë e mosfunksionimit të një prej kokave të printerit që shtypte numrin e qendrës së votimit në fletëvotim. Kompania po ashtu deklaron se sistemi i saj i kontrollit të cilësisë bazohet në verifikime me mostra dhe se “gabimi nuk është zbuluar gjatë procesit të shtypjes”, pasi nuk ka pasur monitorim të vazhdueshëm të serive. Ky sqarim zyrtar e konfirmon vlerësimin e INPO-s se sistemi i auditimit digjital nuk është zbatuar praktikisht në këtë kontratë, pavarësisht se është pjesë thelbësore e standardit ISO 14298. Si rrjedhojë, KQZ nuk ka pasur në dispozicion raportin teknik, ose deri më sot nuk janë dhënë informata se ekziston një raport i tillë, që do t’i mundësonte me saktësi gjetjen se në cilën fazë (shtypje, paketim apo transport) ka ndodhur defekti teknik.
INPO thekson se KQZ mban përgjegjësinë institucionale për të siguruar që sistemi i auditimit digjital të jetë funksional dhe që raportet përkatëse të jenë pjesë e dokumenteve të menaxhimit të kontratës. Mungesa e këtij raporti përbën një boshllëk serioz në kontrollin e cilësisë dhe në gjurmueshmërinë e materialeve zgjedhore. Për më tepër, nëse ky raport ose mekanizëm i sigurimit të cilësisë do të ishte funksional, atëherë do të ishin eliminuar jo vetëm gabimet teknike, por edhe çdo dyshim eventual për manipulim të qëllimshëm të procesit zgjedhor apo për cenim të vullnetit të qytetarëve.
Në këtë drejtim, INPO i bën ftesë publike Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) që të ndërmarrë auditim të plotë të kontratës KQZ–CETIS, për të vlerësuar zbatimin e standardeve të sigurisë ISO, përputhshmërinë me Ligjin për Prokurim Publik dhe shkallën e mbikëqyrjes së ushtruar nga KQZ gjatë procesit të shtypjes së fletëvotimeve. Ky auditim është thelbësor për të rikthyer besimin e publikut në integritetin e procesit zgjedhor dhe për të garantuar transparencën e institucioneve përgjegjëse.
Ngjarja e Mitrovicës nuk është thjesht një “defekt teknik”, por një dështim në zbatimin e mekanizmave të sigurisë dhe gjurmueshmërisë që duhet të jenë themel i çdo procesi zgjedhor. Nëse auditimi digjital i serive do të ishte aktiv, gabimi do të ishte identifikuar në kohë dhe nuk do të kishte ndikuar në materialet zgjedhore të shpërndara. Transparenca teknike është pjesë e integritetit publik, dhe INPO do të vazhdojë të monitorojë veprimet e institucioneve përgjegjëse deri në sqarimin e plotë të kësaj çështjeje.

