12:25 / E Enjte, 19 Shtator 2019 / indeksADMonline

Instagrami me masa rreth produkteve të humbjes në peshë

Instagrami njoftoi marrjen e masave të ashpra, lidhur me postimet që promovojnë prodhimet e humbjes ne peshë dhe kirurgjinë kozmetike.

Sipas platformës për shpërndarjen e fotografive, postime të caktuara do të fshihen për përdoruesit nën 18 vjeç, ndërsa të tjerat që flasin për produkte “të mrekullueshme” për humbje të peshës, do të hiqen plotësisht. Ndryshimet vlejnë edhe për rrjetin social Facebook, që zotëron Instagramin.

“Ne kërkojmë që Instagrami të jetë një vend pozitiv për të gjithë përdoruesit e tij, dhe kjo linjë është pjesë e punës sonë të vazhdueshme për të ulur presionin që njerëzit ndonjëherë mund ta ndiejnë si rezultat i mediave sociale”, tha Emma Collins, menaxhere e politikave publike në këtë platformë.

Ka pasur shqetësime në rritje mbi efektin që industria kozmetike dhe dietat kanë te njerëzit, e sidomos tek të rinjtë, përmes promovimit të objektivave jorealiste. Nismëtarët  e këtij hapi janë konsultuar siç thanë, edhe me ekspertë të politikave në rrjetet sociale.

Në muajin shkurt, drejtori i Shërbimit Kombëtar të Shëndetit në Angli, Stephen Powis, kishte apeluar për ndalimin e reklamave të personave të famshëm, me argumentin se produktet e tyre kishin një efekt të dëmshëm në shëndetin fizik dhe mendor të të rinjve.