09:33 / E Mërkurë, 10 Korrik 2019 / indeksADMonline

Ismaili: Transformuam Kardiologjinë Invazive për të ruajtur shëndetin dhe xhepin e qytetarëve

 Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i shoqëruar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kanë përuruar rinovimin e Kardiologjisë Invazive.

Gjatë kësaj vizite, ministri Ismaili ka thënë se pas një pune të madhe dy vjeçare, tani është transoformuar tërësisht një nga shërbimet më të rëndësishme shëndetësore në QKUK.

 “Kardiologjia Invazive e pajisur me aparaturë moderne dhe e rinovuar tërësisht për t’iu përgjigjur të gjitha shqetësimeve që qytetarët tanë kanë me zemër. E nisëm me shërbimin 24 orësh për kujdesin e zemrës, vazhduam me heqjen e listës së pritjes për stentim, vendosëm Angiografin e ri dhe ja ku jemi sot në një klinikë të rinovuar të gatshme që të ofrojë kushte optimale për stentim, koronarografi dhe rehabilitim të pacientëve”, ka thënë ministri Ismaili.

 Më tej, ministri Ismaili ka thënë se është punuar shumë gjatë kësaj kohe që këtë shërbim që ka dëmtuar shëndetin dhe xhepin e qytetarëve ta rregullojnë dhe ta modernizojmë.

“Tashmë është funksionalizuar edhe njësia e re koronare e cila do të na mundësojë që të heqim listën e pritjes edhe për koronarografi dhe të kompletojmë një shërbim për zemrën me të gjitha parametrat profesionale”, ka shtuar ministri Ismaili.

Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka përshëndetur reformat që po realizohen në sektorin e shëndetësisë.

 “Vërtetë jemi dëshmitarë të reformave të mëdha që po ndodhin secilën ditë në shëndetësi. E përgëzoj ministrin Ismaili për angazhimin e tij të madh. Përkrahja e jonë nuk do të mungoj deri në krijimin e një sektori shëndetësor të dinjitetshëm dhe për qytetarët”, ka thënë kryetari Veseli.

Pas nisjes së shërbimit 24 orësh në Kardiologji Invazive është hequr lista e pritjes për stentim e cila vetëm gjatë vitit 2018 u ka shpëtuar qytetarëve rreth 12 milionë euro.

 Përveç pajisjes me aparatura moderne, në këtë klinikë është bërë përfundimisht edhe ndarja në mes të punëve administrative dhe atyre mjekësore.

Tashmë të gjitha procedurat administrative menaxhohen nga recepcioni, duke filluar nga: Marrja e informacioneve, tërheqja e dokumente dhe caktimi i terminëve për koronarografi dhe stentim.