13:32 / E Premte, 29 Maj 2020 / indeksADMonline

KMDLNj: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i pakthyeshëm, të pranohet nga të gjitha palët

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e Presidentit Hashim Thaçi për mandatarin.

Siç shkruan në njoftim, KMDLNj thotë se edhe para se të merret ky vendim ka kërkuar nga të gjitha palët ta respektojnë këtë vlerësim dhe të sillen në përputhje me këtë verdikt të Gjykatës Kushtetuese, transmeton Klan Kosova.

Më tej në reagim KMDLNj përsëritë se ishte dhe është kundër çdo fjalori që thërret apo nxitë dhunë sikur edhe kundër linçimit publik që po i bëhet sidomos gjykatësve të Gjykates Kushtetuese, pasi morën vendimin.

”Gjykata Kushtetuese e Kosovës mori vendim se Dekreti i Presidentit Thaçi për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë së Kosovës, pa partinë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 (VV) është në përputhje me Kushtetuten e Kosovës duke hapur rrugë për formimin e Qeverisë Hoti.

KMDLNj edhe para se të merret ky vendim ka kërkuar nga të gjitha palët ta respektojnë vendimin dhe të sillen në përputhje me këtë vendim. KMDLNj ishte dhe është kundër çdo fjalori që thërret apo nxitë dhunë sikur edhe kundër linçimit publik që po i bëhet sidomos gjykatësve të Gjykates Kushtetuese, pasi morën vendimin. KMDLNj ftonë të gjithë liderët e partive politike të ushtrojnë autoritetin për qetësim të situates duke u distancuar nga çdo kërcënim apo veprim i dhunshëm.  KMDLNj përkrah çdo protestë apo shprehje të pakënaqësisë që bëhet në përputhje me Ligjin dhe në mënyrë paqësore. Protestat e paralajmëruara nuk kanë asnjë efekt në vendimin e Gjykatës Kushtetuese përveç se do ta dëmtojnë subjektin politik që i organizon protestat në rast se ushtrohet dhunë gjatë protestave. Konstelacioni i krijuar politik pas vendimit të Gjykates Kushtetuese nuk  siguron një qëndrueshmëri qeverisëse dhe vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja në fund të këtij viti apo në fillim të vitit 2021. Në një situatë ku afërsisht 58-60 deputetë shqiptarë janë në opozitë është e paimagjinueshme që mund të merren vendime të mëdha dhe të rëndësishme për Kosovën.

KMDLNj pret dhe kërkon që liderët politikë të Kosovës, në mënyrë të përgjegjshme të kontribuojnë që situata të mos përshkallëzojë dhe të bëhet dorëzim-pranimi i përgjegjësive institucionale në mënyrë të qetë ndryshe do të marrin tërë përgjegjësinë për pasojat e mundshme”.