13:47 / E Mërkurë, 15 Korrik 2020 / indeksADMonline

Komunat, angazhojnë stafe shëndetësore shtesë për të ndihmuar qytetarët

Të gjitha komunat e Kosovës përkatësisht Drejtoritë e Shëndetësisë kanë angazhuar stafe shtesë për të ndihmuar qytetarët e tyre në senzibilizim, parandalim dhe përcjelljen e gjendjes së të infektuarve me Covid-19.

Sipas komunikimit midis drejtorëve komunalë të Shëndetësisë në kuadër të Kolegjiumit për shëndetësi të AKK, shumica e komunave kanë të ngritura tenda për pranim të qytetarëve në të cilat kanë angazhuar stafin e QKMF-ve dhe ekipet në terren.

Gjithashtu, komunat janë duke dhënë kontributin e tyre në pikat kufitare, ku nga stafi i kujdesit parësor shëndetësor në komuna kanë ekipet e tyre të angazhuara në pikat kufitare të Kosovës varësisht nga pozita gjeografike dhe rajoni në të cilin gjenden. Në këto ekipe sipas drejtorëve komunalë janë të përfshirë si staf mbështetës edhe epidemiologu apo infektologu.

Sipas kryesuesit të Kolegjiumit të drejtorëve të Shëndetësisë në AKK-së, dr.Bujar Gashi, komunat janë duke dhënë në maksimum kontributin e tyre për të tejkaluar këtë gjendje përkundër vështirësive që mund të kenë ato.