Kusari për raportin e progresit të BE-së: Kosova shënon përmirësim të kufizuar në lirinë e medias
Juristja për media, Flutura Kusari, ka reaguar pas publikimit të raportit të progresit të Bashkimit Evropian për Kosovën, duke vlerësuar se vendi ka shënuar përmirësim të kufizuar në fushën e lirisë së shprehjes dhe medias.
Kusari ka veçuar si zhvillim pozitiv faktin që Këshilli Gjyqësor i Kosovës, përmes strategjisë së re, u ka dhënë prioritet rasteve që përfshijnë gazetarët.
Sipas saj, ky vendim është i rëndësishëm, pasi do të ndikojë që rastet e shpifjes dhe fyerjes të mos mbeten për vite të tëra në sistemin gjyqësor.
Ajo ka vlerësuar gjithashtu se Bashkimi Evropian ka marrë parasysh kritikat dhe shqetësimet e ngritura nga organizatat dhe përfaqësuesit e sektorit të medias në Kosovë.
Në reagimin e saj, Kusari ka përmendur se në raport janë përfshirë kritikat lidhur me përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të RTK-së, si dhe vendimet e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) për ndëshkimin e mediave.
Ajo ka theksuar se këto zhvillime e motivojnë të vazhdojë angazhimin e saj në fushën e lirisë së medias.
Kusari ka bërë të ditur se raporti përmend edhe obligimet e Kosovës për transpozimin e direktivave dhe akteve evropiane, përfshirë Aktin Evropian për Lirinë e Medias (EMFA), Aktin për Shërbimet Digjitale (DSA) dhe direktivën kundër padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (Anti-SLAPP).
Po ashtu, sipas saj, kërkohet ndryshimi i ligjit për KPM-në, ligjit për RTK-në dhe ligjit për mbrojtjen e burimeve të gazetarëve.
Në fund, Kusari ka vlerësuar edhe përmendjen e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) dhe Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) në këtë kapitull të raportit.
Ndërkaq, përmendjen e kryeministrit Albin Kurti në kapitullin përkatës, ajo ua ka lënë gazetarëve për ta trajtuar dhe raportuar.

