Legjenda Figo kërkon dorëheqjen e Infantinos nga FIFA
Legjenda e futbollit portugez, Luis Figo, ka bërë një deklaratë të fortë publike duke kërkuar dorëheqjen e presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.
Përmes një reagimi të publikuar në rrjetet sociale, Figo tha se i bashkohet zërave të shumtë nga bota e futbollit që kërkojnë largimin e Infantinos nga drejtimi i FIFA-s, shkruan Indeksonline
“Sot u bashkohem të tjerëve nga e gjithë bota e futbollit dhe i bëj thirrje Gianni Infantinos të japë dorëheqje nga posti i presidentit të FIFA-s”, shkroi Figo.
Ish-fituesi i “Topit të Artë” e akuzoi Infantinon se e ka degraduar pozitën që kishte premtuar ta ngrinte në një nivel më të lartë.
“Infantino e ka ulur dinjitetin e këtij posti që kishte premtuar ta ngrinte. Ai ka gënjyer, ka mashtruar dhe ka vepruar për interesat e veta, në dëm të lojës që duhet t’i shërbejë”, deklaroi Figo.
Sipas tij, presidenti i FIFA-s ka humbur mbështetjen e stafit të lartë, këshilltarëve më të afërt dhe shumicës dërrmuese të njerëzve që ia kanë kushtuar jetën futbollit.
“Ai ka humbur mbështetjen e stafit të tij të lartë, këshilltarëve më të afërt, shumicës së njerëzve që i kanë kushtuar jetën këtij sporti dhe, siç duket, edhe të fituesit të Çmimit të Paqes të FIFA-s”, shtoi ai.
Në fund, Figo theksoi se është koha që Infantino të largohet.
“Është tepër vonë për të shpëtuar dinjitetin e tij, por nuk është vonë për të shpëtuar futbollin. Ai duhet të largohet. Tani”, përfundoi Luis Figo/Indeksonline/

