75 Mall Live Search
23:49 / E Hënë, 10 Gusht 2026 / L A

Liga e futbollit të Palestinës pritet të rikthehet pas 3 viteve

Shoqata Palestineze e Futbollit ka njoftuar se do të rifillojë aktivitetin në shtator pas një pauze gati trevjeçare shkaku i situatës në Gaza.

“Ne njoftojmë rifillimin e aktiviteteve sportive dhe të ligës së shoqatës së futbollit duke filluar nga 4 shtatori”, tha presidenti i shoqatës, Jibril Rajoub, në një konferencë për shtyp në Ramallah të hënën.

Ligat sportive palestineze, përfshirë futbollin profesional, u ndërprenë pas fillimit të luftës më 7 tetor 2023.

Sipas të dhënave të shoqatës, shoqata e ka quajtur turneun e parë “Kupa e Mijëra Martirëve”, për të nderuar 1,014 atletët palestinezë të vrarë nga Izraeli gjatë luftës.

Më shumë se 200 klube do të garojnë në turne, përfshirë 146 nga Bregu Perëndimor i pushtuar nga Izraeli, 44 nga Gaza dhe 36 nga kampet e refugjatëve palestinezë në Liban.

Turneu do të fillojë njëkohësisht në të tre lokacionet.

Rajoub tha se lufta “krijoi kushte të vështira për të gjithë palestinezët që çuan në pezullimin e garave dhe aktiviteteve tona”.

“Por ne nuk e kemi humbur vullnetin tonë kombëtar palestinez, as nuk e kemi humbur besimin tonë se sporti do të mbetet një simbol i shpresës dhe jetës”, tha ai./IndeksOnline/