75 Mall Live Search
23:50 / E Premte, 09 Tetor 2026 / AR

Man City mund të luajë në Champions edhe nëse bie nga Premier League

Manchester City mund të luajë në Ligën e Kampionëve edhe sezonin e ardhshëm, madje edhe nëse ndëshkohet rëndë nga Liga Premier dhe detyrohet të bjerë nga kategoria.

Sipas raportimeve të mediave angleze, ekziston mundësia që klubi të përfitojë nga një boshllëk në rregulloret e licencimit të UEFA-s për të vazhduar garat evropiane.

Shqetësimi lidhet me faktin se nuk ekziston një mekanizëm automatik që e përjashton një klub nga garat e UEFA-s në rast se ndëshkohet në kampionatin vendas.

City mund ta sigurojë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve duke fituar këtë sezon kompeticionin më prestigjioz evropian për klube, pavarësisht ndonjë ndëshkimi të mundshëm në Angli.

Licencat për garat evropiane në Angli jepen nga Liga Premier, të cilës Federata Angleze e Futbollit ia ka deleguar këtë përgjegjësi. Megjithatë, refuzimi i licencës nuk mund të bëhet nëse një klub i përmbush të gjitha kriteret minimale të përcaktuara.

Kjo situatë ka ngritur shqetësime në qarqet e futbollit, pasi pjesëmarrja në Champions League do t’i siguronte Manchester Cityt të ardhura të konsiderueshme, edhe në rast të një ndëshkimi të rëndë në futbollin anglez.