20:25 / E Shtunë, 27 Nëntor 2021 / OSH

Mehmeti: Hetimet nuk shpien kah sulmi terrorist

Ekspertët e zyrtarët policorë, përfshirë edhe ata me qen, kanë bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes në Glloxhan, ku një natë më parë u vranë tre persona e një u plagos.

Përmes provave synohet të identifikohet se kush e ka kryer aktin e se nga ka shkuar. Një ditë pas krimit, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka kërkuar dorasit të paraqitet në organet e rendit. Sveçla ka thënë se ky është ultimatum, dhe kushdo që e ndihmon vrasësin implikohet në vepër penale.

Bashkë me të gjitha kapacitetet shtetërore që janë vënë në dispozicion, veprimet po koordinohen edhe me Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, teksa ndihmë kërkohet edhe nga qytetarët që potencialisht mund të kenë ndonjë informacion.

Me hetimet e deri tashme, policia po bënë kërkime në tre pista, ndërkaq që sipas drejtorit, Samedin Mehmeti, aktualisht po flitet për një person por me mundësi të ndërlidhjes me të tjerë.
Informatat që deri tash kanë marrë organet e rendit, aktualisht nuk qojnë në drejtim që motivi mund të lidhet me religjionin e të konsiderohet akt terrorist.

Meqenëse ende janë në fazën e hetimeve preliminare, nuk u konfirmua nëse një nga motivet që hetohet është një problem i mundshëm me linjën e autobusave.

Dyshime në këtë drejtim nuk kanë familjarët e Gani Gjokajt, shoferit që mbeti i vrarë, kjo megjithëse disa vite më parë, ai si drejtues i kompanisë „Erblini“, ka pasur një moskuptim me orën e linjës, por që sipas familjes aso kohe është zgjidhur pa problem.
Ankesa në këtë drejtim nuk kanë marrë as në Stacionin e Autobusëve në Gjakovë.