Ministri Maqedonci mori pjesë në sesionin plenar të Ministerialit SHBA – Karta e Adriatikut (A5)
Në sesionin plenar të Ministerialit SHBA – Karta e Adriatikut (A5), ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, theksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për të forcuar qëndrueshmërinë kombëtare dhe bashkëpunimin rajonal.
Ministri Maqedonci, mes tjerash tha se Kosova po ndjek një qasje të koordinuar ndërmjet institucioneve civile dhe atyre ushtarake, në përputhje me standardet e NATO-s, për t’u përballur me krizat, kërcënimet kibernetike dhe operacionet hibride.
Ministri gjithashtu theksoi rreziqet nga aktorë shtetërorë, duke përmendur sulmin terrorist të 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjskë dhe mbështetjen e papranueshme nga Serbia ndaj përgjegjësve të këtij sulmi, i cili cenon stabilitetin e rajonit.
Ministri tha se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, bashkëpunimit dhe vlerave euroatlantike dhe se Kosova është e gatshme të bashkëpunojë me çdo partner që ndjek rrugën e paqes, përgjegjësisë dhe respektit të ndërsjellë. Vetëm përmes koordinimit rajonal, ushtrimeve të përbashkëta, mbrojtjes kibernetike dhe përgjegjësisë politike mund të ndërtohet një rajon më i sigurt dhe më i qëndrueshëm.

