12:25 / E Martë, 25 Shkurt 2020 / indeksADMonline

MASHT-i, kërkon nga drejtoritë komunale dhe nga shkollat masa të shtuara parandaluese rreth coronavirusit

Në bazë të rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP), Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHT), në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë (MSH), kanë shpërndarë nëpër shkolla materiale vetëdijësuese rreth coronavirusit.

“MASHT-i, po ashtu, përmes drejtorive komunale të arsimit, ka kërkuar që në të gjitha shkollat e Kosovës, ora e parë e mësimit të ndërrimit të pasdites sot (25.02.2020) dhe ora e parë e ndërrimit të paradites nesër (26.02.2020), t’i kushtohet rritjes së vetëdijësimit të nxënësve lidhur me masat parandaluese, duke u bazuar në materialet dhe udhëzimet e pranuara nga Instituti Kombëtar për Shëndet Publik, të cilat janë shpërndarë nëpër shkolla”, thuhet në njoftimin për media.

Po ashtu, MASHT-i, i ka udhëzuar DA-të që t’i pajisin shkollat me material higjienik dhe të gjitha institucionet shkollore të bëjnë dezinfektimin e shtuar të të gjitha sipërfaqeve dhe nyjave sanitare./Indeksonline/