08:34 / E Martë, 24 Nëntor 2020 / Blerim

Ndikimi i pandemisë te ndryshimi i klimës ishte i papërfillshëm

Organizata Botërore Meteorologjike (OBM) thotë se nivelet globale të dioksidit të karbonit vazhdojnë të rriten pavarësisht ndikimeve mjedisore të izolimeve, masa të marra për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

OBM ka paralajmëruar se pandemia e Covid-19 nuk është zgjidhje për ndryshimin e klimës dhe rënia e ndjeshme e emetimeve të dioksidit të karbonit në vitin 2020 ishte thjesht një ndryshim i papërfillshëm në grafikun afatgjatë. “Na duhet një rrafshim i qëndrueshëm i kurbës,” tha Sekretari i Përgjithshëm i OBM-së, Prof. Petteri Taalas.

Në fillim të pandemisë, masat izoluese të ndërmarra anembanë globit sollën një reduktim të emetimeve të dioksidit të karbonit, për shkak se fluturimet u anuluan dhe miliona njerëz punuan nga shtëpia.

“Dioksidi i karbonit mbetet në atmosferë për shekuj dhe në oqean për më shumë kohë. Herën e fundit që Toka përjetoi një përqëndrim të krahasueshëm të CO2 ishte 3-5 milionë vjet më parë, kur temperatura ishte 2-3 °C më e ngrohtë dhe niveli i detit ishte 10-20 metra më i lartë se tani. Por nuk kishte 7.7 miliardë banorë, ”tha Taalas.

Ai theksoi se një nivel i tillë nuk është parë kurrë në historinë e të dhënave të OBM-së. Megjithatë, pavarësisht se ndikimi në klimë ishte i papërfillshëm, theksoi se pandemia “na siguron një platformë për veprim më të qëndrueshëm dhe më ambicioz ndaj klimës”.

“Ndryshimet e nevojshme janë ekonomikisht të përballueshme dhe teknikisht të mundshme dhe do të ndikonin në jetën tonë të përditshme shumë pak.”