21:30 / E Diele, 08 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Në QKUK edhe këtë vit numër i madh i lindjeve, gjinia mashkullore po i shtohet Kosovës

Kosova është vend i cili vlerësohet për numrin e madh të të rinjve.

Sigurisht se kjo gjë vetëm sa ka ngritur më lartë të mirat e këtij vendi.

Deri në muajin shtator të vitit 2019 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Klinika e Gjinekologjisë janë kryer 7 mijë e 283 lindje, me gjithsej 7 mijë e 376 foshnje.

Nga gjithsej 7 mijë e 376 foshnje, tre mijë e 922 apo 53.1% ishin të gjinisë mashkullore, kurse tre mijë e 454 apo 46.9% të gjinisë femërore, raporton Indeksonline.

Në një përgjigje të dhënë nga Klinika e Gjinekologjisë për Indeksonline theksohet se nga gjithsej 7.283 lindje sa janë kryer, 2 mijë e 477 ishin me prerje cezariane apo njohur ndryshe si operacion.

Krahasuar me periudhën e njëjtë mujore të vitit 2018, numri i lindjeve në QKUK-Gjinekologji ka qenë afërsisht i njëjtë.

Ndryshe Kosova ndër vite është njohur si një vend me natalitet të lartë, ku shumë prindër zgjidhnin të kenë numër më të madh të fëmijëve, kësisoj duke kontribuar në rritjen e popullatës në vend. Edhe pse viti 2018 ishte me më pak lindje, krahasuar me vitet e afërta që kemi lënë pas.

Sipas njohësve të shumtë të çështjeve të natalitetit thuhet se për ngritjen edhe më të madhe të natalitetit ndikon edhe aspekti politik, pra që nënat të kenë përkrahje nga institucionet shtetërore.

Në Kosovë, Ligji i Punës parasheh që për secilin fëmijë të lindur, nënës t’i takojë pushimi i lehonisë prej një viti, ku gjatë tre muajve të parë të pushimit të lehonisë pagesa bëhet 70% të rrogës bazë, pastaj gjashtë muajt në vijim pushimi i lehonisë paguhet nga Qeveria e Kosovës me kompensim prej pesëdhjetë përqind të rrogës mesatare në vend.

Gruaja e punësuar në Kosovë ka të drejtë në bazë të këtij ligji , që ta zgjasë pushimin e saj të lehonisë edhe për tre muaj të tjerë pa pagesë.

Në rast të përkujtimit të viteve të kaluara, duhet cekur se sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës në vitin 2014 ishin regjistruar 32 mijë e 087 lindje, në vitin 2015 u regjistruan 31. 116 lindje, në vitin 2016 janë regjistruar 30.069 lindje, në vitin 2017 janë regjistruar 30.025 lindje dhe në vitin 2018 janë regjistruar 22.761 lindje në mbarë vendin./Indeksonline/