Në Shkup transplantohet zemra, në Kosovë mungon patriotizmi shtetëror!
Në Shkup tash më një kohë të gjatë vinë për t’u shëruar mijëra pacient nga Kosova, ndërkohë qe nga Kosova ka plotë mjekë qe kanë dëshmuar profesionalizëm të lartë në klinikat e Europës e Amerikes. Por në Kosovë ka munguar vetëdija shtetërore-patriotike për te ngritur një sistem cilësor të shëndetësisë. Ka munguar ajo që Shkupi para shumë vitesh e bëri, duke mbledhur nga diaspora ekspertët e vet, sepse vetëm në vendlindje yjet bëjnë dritë më shumë
Nga Emin AZEMI
Një ekip kardiokirurgësh më eminent në Shkup për here të parë kanë bërë
transplantimin e zemrës. Dhurues i zemrës është një grua, dhe falë zemrës së
saj u shpëtua jeta e një 54 vjeçari. Familjarët kishin rënë dakord që edhe veshkat
e gruas të transplantohen te dy pacient tjerë. Nga keto transplantime rezulton
që tri jetë njerëzish u shpëtuan nga një donatore e vetme.
Ky është një sukses jo i vogël i kardiokirurgëve nga Shkupi të cilët kishin
formuar një ekip të kombinuar nga disa klinika, në mesin e të cilëve ishte edhe
i famshmi, prof.dr. Zhan Mitrev.
Emilija Dineva është gruaja që nuk jeton më, por zemra dhe veshkët e saj vazhdojnë të mbajnë gjallë tri jetë tjera.
Emilija Dineva dhe familja e saj nga Dojrani i meritojnë të gjitha fjalët e
mira dhe faleminderimet, për shkak se falë gjestit tepër human të tyre u
shpëtua një jetë njeriu. Zemra e Emilisë së vdekur, bëri të jetojë një tjetër
pacient, i moshës 54 vjeçare. E ndjera Emilija me motoçikletë kishte pësuar një
aksident fatal në komunikacion.
Pikëllimi në familjen Dinevi është i papërshkruar, sepse humbën bashkëshorten
dhe nënën në një aksident trafiku, por vendimi i tyre i guximshëm shpëtoi një
jetë tjetër njeriu.
” E gjithë kjo po na duket si ëndërr, ende spo mundemi të besojmë se kjo
vërtetë ka ndodhur. Ngjarjet ndodhën njëra pas tjetrës për një kohë të
shkurtër, por ngadalë po e marrim veten dhe po e mbledhim mendjen. Tash më
është pas nesh pesimizmi se babai im Ivani do të fitojë një zemër, se do të
vazhdojë të jetojë”, rrëfen për “Fokusin”, Vasil Ognjanovski, djali i Ivanit
(54), i cili është pacienti i parë në Maqedoni, tek i cili u transplantua zemra
e dhuruar nga një pacient i vdekur.
Ky sukses e bën krenar çdo kënd, e më së tepërmi ata që ia duan të mirën
pacientëve, sidomos atyre që nuk duhet të udhëtojnë jashtë shtetit për t’u
shëruar. Me mjekë të tillë jeta e njerëzve është më e sigurt, kurse ky sukses
nuk ka pikë nga qielli. Kanë qenë institucionet dhe politika ato që e kanë
mundësuar këtë sukses. Ishin udhëheqësit shtetëror të Maqedonisë së fillmviteve
nëntëdhjetë që sollën nga Gjermania Zhan Mitrevin dhe i mundësuan të instalojë
një spital modern në Shkup, aty ku mijëra pacient vijnë edhe nga Kosova.
Destinacion i këtyre të fundit është edhe Spitali Sistina, ndërkohë që nga
Kosova ka plotë mjekë të shquar që kanë dëshmuar profesionalizëm të lartë në
klinikat e Europës e Amerikës.
Por në Kosovë ka munguar vetëdija shtetërore-patriotike për te ngritur një
sistem cilësor të shëndetësisë. Ka munguar ajo që Shkupi para shumë vitesh e
bëri, duke mbledhur nga diaspora ekspertët e vet, sepse vetëm në vendlindje
yjet bëjnë dritë më shumë.
Politikanët në Prishtine vazhdojnë të bëjnë garën e muskujve dhe të byryten si
tereqë, ndërkohë që qytetarët e tyre shkojnë ne Shkup për të gjetur shpëtim nga
sëmundjet që lehtësisht do të mund të kuroheshin edhe në Kosovë. Kjo ka
ndodhur, sepse në Kosovë për 20 vite, më shumë u punua si të pasurohet një tufë
politikanësh të korruptuar bashkë me akrabatë e tyre, që vazhdojnë ende të uzurpojnë
hapësirën politike me pretendime e ambicie të reja për pushtet.
Kjo është Kosova që (s)e duam!
Një bravo e madhe për kardiokirurkgët nga Shkupi!