14:30 / E Martë, 22 Tetor 2019 / indeksADMonline

Aktakuzë ndaj një aktivisti të Vetëvendosjes për ndikimin e lirisë së votuesit

Prokuroria Themelore e Gjilani, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë, ndaj të pandehurit Q.R., për shkak të veprës penale: “’Parandalimi i ushtrimit të së drejtës për të votuar’’, nga neni 209 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Q.R., në ditën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të Kosovës, përkatësisht më 06 tetor 2019, rreth orës 9h, duke qenë aktivist i partisë Vetëvendosje dhe anëtar i Këshillit iniciues të kësaj partie, në pikën e votimit në fshatin Pozheran, në mënyrë të kundërligjshme ka ndikuar në përcaktimin e lirë të votuesit, në atë mënyrë që në oborrin e shkollës së mesme ‘’Kuvendi i Manastirit’’, e kishte ndalë bashkëfshatarin e tij L.A., me ç’rast atij i kishte dhënë  dy letra, njëra me numrat e kandidatëve  të Lëvizjes  Vetëvendosje dhe tjetra si fotoalbum me të gjithë kandidatët për deputët nga kjo partie, me qellim që ai të votonte për kandidatët e këtij subjekti politik, të preferuar nga i pandehuri.

Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale të sipërcekur, prandaj prokuroria me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që atë ta shpallë fajtor për këtë vepër penale.