“Objektivi: Arka e Noes”! Zbulohet plani për të provokuar Kim Jong un-in dhe shkaktuar luftë mes dy Koreve
Prokurorët në Korenë e Jugut kanë publikuar të dhëna të reja tronditëse që lidhen me një plan të supozuar të ish-presidentit Yoon Suk Yeol për të provokuar drejtpërdrejt liderin koreano-verior, Kim Jong un, përmes fluturimeve sekrete të dronëve në zemër të Penianit. Dokumentet e gjetura në telefonin e një zyrtari të lartë të mbrojtjes sugjerojnë se këto operacione ishin pjesë e një skeme më të gjerë, që sipas prokurorëve, synonte krijimin e një krize kombëtare për të justifikuar shpalljen e ligjit ushtarak.
Sipas akuzës, dronë të nisur nga territori i Koresë së Jugut kanë depërtuar disa herë në hapësirën ajrore të Koresë së Veriut në tetor dhe nëntor të vitit të kaluar, duke hedhur fletushka kundër regjimit të Kim Jong un-it. Agjencia Shtetërore Koreano-veriore (KCNA) publikoi fotografi të një droni të rrëzuar dhe të një tjetri që fluturonte ulët pranë rezidencës së Kim Jong un-it.
Reagimi nga Peniani ishte i ashpër. Kim Yo jong paralajmëroi “pasoja të rënda”, ndërsa Veriu shkatërroi dy segmente rrugore pranë kufirit dhe kërcënoi me ndërprerjen totale të lidhjeve tokësore me jugun.
Megjithatë, nuk pati veprim ushtarak. Vetëm disa javë më vonë, Yoon shpalli gjendjen e jashtëzakonshme ushtarake, duke pretenduar se “forcat pro-veriore” po kërcënonin rendin demokratik. Ky ishte momenti që çoi drejt rënies së tij politike.
“Objektivi: Arka e Noes”! Zbulohet plani për të provokuar
Ish-presidenti i Koresë së Jugut, Kim Hong-ji / Foto: Reuters via CNN Newsource
Prokurorët publikuan të hënën shënime të gjetura në telefonin e ish-komandantit të Kundërzbulimit të Mbrojtjes, Yeo In-hyung. Shënimet përmbanin udhëzime të qarta për krijimin e një situate të qëllimshme destabilizimi:
“Duhet të krijojmë një situatë të paqëndrueshme”.
“Duhet ta godasim Veriun në pika ku e humbin fytyrën dhe detyrohen të reagojnë”.
Objektivat e listuara përfshinin Penianin, dy objekte bërthamore, rezidencat e pushimit të Kim Jong un-it, Samjiyon dhe zonën turistike Wonsan-Kalma.
Një tjetër memo fliste për skenarë të krizës: “Minimumi, krizë kombëtare sigurie; maksimumi, përmbytje apokaliptike si ajo e Arkës së Noes”.
Sipas prokurorëve, këto plane synonin krijimin e kushteve për një situatë lufte ose një skenar ku policia nuk do të mund të ushtronte kontroll, duke i dhënë presidentit arsye për shpalljen e ligjit ushtarak.
Më 3 dhjetor, Yoon njoftoi shpalljen e ligjit ushtarak dhe akuzoi opozitën për bashkëpunim me forcat koreano-veriore. Helikopterë ushtarakë dërguan trupa rreth Parlamentit, ndërsa deputetët dhe qytetarët u përleshën me ushtarët për të penguar hyrjen e tyre në sallën e seancave.
Parlamenti votoi rrëzimin e dekretit brenda orëve, në një veprim pa precedent që çoi në protesta masive, proces gjyqësor dhe më pas në shkarkimin e Yoon.
Ish-presidenti Yoon, së bashku me ish-ministrin e Mbrojtjes Kim Yong-hyun dhe komandantin Yeo In-hyung, përballen me akuza të rënda për: Ndihmë ndaj armikut, keqpërdorim të pushtetit dhe tentativë për kryengritje dhe uzurpim të institucioneve.

